Pyetje dhe përgjigje në lidhje me sexhden!

Pyetje dhe përgjigje në lidhje me sexhden!

1-Ngritja e ballit nga toka gjatë sexhdes

Ne kemi parë disa prej namazlive – Allahu na udhëzoftë neve dhe ata – që kur bien në sexhde, e ngrenë ballin e tyre nga toka, derisa të prekë tokën vetëm për një çast ose ndonjëherë as që e prek atë. E kur i këshillon, ata e arsyetojnë me justifikime të kota (si p.sh. që u prishet shalli apo diçka tjetër). Cili është gjykimi për namazin e tyre?

Dhe çfarë këshille u jepni atyre? Allahu ju bëftë të dobishëm me dijen tuaj dhe ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigja:

Ata detyrohen që ta qesin (prekin) ballin në tokë. Nëse bëjnë sexhde vetëm me një prekje të lehtë, atëherë sexhdeja e tyre nuk është e vlefshme. E nëse sexhdeja nuk është e vlefshme, edhe namazi nuk është i vlefshëm.

2-Gjykimi i zgjatjes së tepruar të shpinës gjatë sexhdes!


Cili është gjykimi për zgjatjen e tepruar gjatë sexhdes?

Përgjigja:

Zgjatja e tepruar e shpinës gjatë sexhdes është në kundërshtim me sunetin, sepse asnjëri prej sahabëve (radijAllahu anhum) që e përshkruan namazin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem nuk ka thënë se ai e zgjaste shpinën në sexhde – ndonëse kanë përmendur se ai e zgjaste atë gjatë rukusë.

Ajo që është e legjitime në sexhde është që njeriu ta mbajë barkun të ngritur nga kofshët, duke ngritur me këtë edhe trupin, e jo ta zgjatë trupin siç veprojnë disa njerëz.

3-Shenja e sexhdes në ballë!

A është përmendur ndonjëherë që shenja në ballë nga sexhdet është prej shenjave të njerëzve të mirë?

Përgjigja:

Jo, kjo nuk është prej shenjave të njerëzve të mirë. Ajo që llogaritet si shenjë e njerëzve të mirë është drita (nuri) në fytyrë, zemërgjerësia, sjellja e mirë, e të ngjashme me to.

Sa për gjurmën që e lë sexhdeja në fytyrë, ajo mund të shfaqet edhe te ai që nuk i fal veçse farzet për shkak të lëkurës së ndjeshme, dhe mund të mos shfaqet fare te ndonjë që fal shumë namaz dhe qëndron gjatë në sexhde.

4-Gjykimi i dërgimit të salavateve për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem gjatë sexhdes!

A lejohet të dërgohen salavate mbi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem gjatë sexhdes?

Përgjigja:

Po, lejohet të dërgohen salavate mbi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në sexhde, sepse kjo është lutje, dhe sexhdeja është prej vendeve të lutjes.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Mexh’mu’ Fetawa; Babus-salat 187-188)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button