Njeriu i fundit që do hy në Xhenet!
بِسْمِ اللهِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِيْمِ
AbdUllah ibën Mes’udi, radijAllahu anhu, ka thënë se, Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“I fundit që do hy në Xhenet është njeriu që njëherë ec, njëherë pengohet, njëherë e përcëllon zjarri, ndonëse kur e kalon atë thotë: “I Lartësuar është Ai që me shpëtoi prej teje! Veçse me ka dhënë Allahu atë që nuk ia ka jep askujt prej të parit e deri tek i fundit prej krijesave!”
• I shfaqet një pemë dhe thotë: “O Zoti im! Më afro tek ajo pemë, të strehona nën hijen e saj dhe të pi ujë prej ujit të saj!”
• Allahu i Plotfuqishëm i thotë: “O biri i Ademit, nëse ta jap këtë a do ta kërkosh tjetrën?”
• Ai thotë: “O Zoti im, dhe i zotohet se nuk do t’i kërkojë diçka tjetër!” Kurse Allahu i Plotfuqishëm e justifikon, sepse ai sheh atë që nuk mund t’i bën sabër. Kështu që e afron pranë saj, qëndron nën hijen e saj dhe pi ujë prej ujit të saj.
• Pastaj, i shfaqet një pemë tjetër, më e bukur se e para, prandaj edhe thotë: “O Zoti im, Më afro tek ajo pemë, të strehona nën hijen e saj dhe të pi ujë prej ujit të saj, nuk do të kërkoj tjetër!”
• Allahu i thotë: “O biri i Ademit, a nuk je zotuar që nuk do të kërkosh tjetër?! Ndoshta, nëse të afroj tek ajo, do ta kërkosh tjetrën?” Dhe kështu e merr zotimin prej tij që mos ta kërkoj tjetrën. Edhe pse, Zoti i vet i Plotfuqishëm e justifikon sepse ai e sheh atë që nuk mund t’i bën sabër! Kështu që e afron pranë saj, qëndron nën hijen e saj dhe pi ujë prej ujit të saj!
• Pastaj i shfaqet një pemë tek porta e Xhenetit, e cila është më e bukur se dy të parat, prandaj edhe thotë: “O Zoti im, më afro tek ajo që të qëndroj nën hijen e saj dhe të pi ujë prej ujit të saj, si dhe nuk të kërkoj tjetër!”
• Allahu i thotë: “O biri i Ademit, a nuk je zotuar që nuk do të kërkosh tjetër?!”
• Ai thotë: “Po, gjithsesi! Nuk do të kërkoj tjetër!” Zoti i vet i Plotfuqishëm e justifikon, sepse ai e sheh atë që nuk mund t’i bëj sabër. Kështu që, e afron pranë saj!
• Posa afrohet tek ajo e dëgjon të folurit e banorëve të Xhenetit dhe thotë: “O Zoti im, me fut në Xhenet!”
• Allahu i thotë: “O biri i Ademit, çfarë e ndërprenë kërkesën tënde? A je i kënaqur që ta japë ty dynjanë dhe po aq më shumë?”
• Ai thotë: “O Zoti im, a shaka bën më mua kurse Ti je Zoti i të gjitha botëve?!”
Qeshi Ibën Mes’udi, radijAllahu anhu dhe ju tha të pranishmëve: “A nuk me pyetni përse po qeshi?!”
Ata thanë: “Përse po qesh?!”
Ai tha: “Kështu ka qeshur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”
Pastaj i thanë: “Përse qeshe o i Dërguar i Allahut?”
U përgjigj: “Nga të qeshurit e Zotit të botëve kur i tha robi: “A shaka bën më mua kurse Ti je Zoti i botëve?!”
Allahu i thotë: “Unë nuk bëj shaka me ty, mirëpo Unë çfarë do që dëshiroj e realizoj!”
| Muslimi 187 |
Përktheu: Besim Gjelaj