Nëse shoku yt zemërohet!

Nëse shoku yt zemërohet!

Ibën Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Kur ta shohësh shokun tënd që është zemëruar dhe fillon të flasë fjalë të papërshtatshme, mos i merr për bazë fjalët e tij, e as mos e llogarit përgjegjës për to, sepse ai në atë çast është si i dehur, që nuk e di çfarë thotë.

Bëhu i durueshëm ndaj nervozizmit të tij dhe mos u mbështet në ato që ai thotë, sepse në atë moment shejtani e ka kapluar, natyra e tij është trazuar dhe arsyeja është fshirë.

Nëse ti zemërohesh me të dhe ia kthen me të njëjtën mënyrë, atëherë je si një njeri i mençur që përballet me një të çmendur, apo si një njeri i zgjuar që qorton një të fikët – dhe faji është yti.

Përkundrazi, shikoje me mëshirë, kuptoje që kjo është një sprovë e caktuar nga Allahu për të, dhe vështroje siç luan natyra me të. Dije se, kur të kthjellohet, do të pendohet për çfarë ka ndodhur dhe do ta vlerësojë durimin tënd.

Këtë mësim duhet ta mësojë djali ndaj prindit kur ai zemërohet, edhe gruaja ndaj burrit kur ai zemërohet. Le të mos e marrin seriozisht çfarë ai thotë në atë gjendje, sepse ai do të kthehet i penduar dhe do të kërkojë falje.

Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk veprojnë kështu. Kur shohin dikë të zemëruar, ia kthejnë menjëherë me të njëjtën mënyrë – fjalë për fjalë, vepër për vepër. Kjo nuk është sjellje e urtë. Urtësia është ajo që përmendëm më lart.

“…dhe vetëm të diturit e kuptojnë këtë.” | Kur’an • Ankebut 43 |.

| Burimi: Sajdul Hatir f. 468 |
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button