Muaji i mjaltit

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Një dobi: Disa njerëz kanë thënë: A mund të nxjerrim nga fjala e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem: “Derisa ta shijosh ëmbëlsinë e tij dhe ai ta shijojë ëmbëlsinë tënde” atë që quhet ‘muaji i mjaltit’? A është kjo e saktë?’ Po, kjo është e saktë. Por mjalti nuk është vetëm për një muaj nëse ai vazhdon me gruan; kështu, mjalti duhet të jetë për një kohë të gjatë, jo vetëm për një muaj.

Sa i përket udhëtimit gjatë këtij muaji në vende ku nuk është e përshtatshme të udhëtohet, kjo përmban humbje të pasurisë. Përveç kësaj, dëgjojmë se disa njerëz udhëtojnë në vende të huaja dhe shkojnë në pishina, teatro dhe vende dëfrimi, ndërsa gruaja e tij është e pambuluar, duke i zbuluar kokën, qafën, krahët dhe të ngjashme me këto, Allahu na ruajttë! A nuk janë këta prej atyre për të cilët Allahu thotë se e shndërruan mirësinë e Allahut në mohim?!

Falënderimi për këtë mirësi duhet të jetë që njeriu të shtojë falënderimin ndaj Allahut të Madhëruar dhe të ketë sjellje të mirë me familjen e tij. Por çfarë gjykimi ka për atë që, në vend të kësaj, thotë: Unë dhe ajo do të shkojmë për të kryer umren?

Them: Kjo është e mirë dhe jo e mirë. Arsyeja është se duket se origjina e kësaj është marrë nga jomyslimanët, sepse nuk kemi njohur që kjo të jetë bërë në kohët e dijetarëve të mëhershëm, as në kohën e selefëve, dhe dijetarët nuk kanë folur për të. Prandaj, duket se kjo është marrë nga jomyslimanët. Ky është një aspekt.

Nga një aspekt tjetër, kam frikë se, nëse kalon shumë kohë, njerëzit do ta bëjnë martesën shkak për legjitimimin e umres dhe më pas do të thuhet: ‘Është e pëlqyeshme që çdo person që martohet të kryejë umre!’ Kështu, do t’i kishim dhënë adhurimit një shkak që nuk është i ligjësuar. Kjo është problematike, sepse kur kalon shumë kohë, gjendjet ndryshojnë dhe njerëzit e harrojnë atë që ishte më parë.

Prandaj them: Bëje muajin e mjaltit në dhomën tënde, në shtëpinë tënde, dhe bëje mjaltin për një kohë të gjatë, jo vetëm për një muaj. Dhe falënderoje Allahun për mirëqenien.”

(Sher’hul-Mumti’, 13/207)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Back to top button