Letra e Ibën Tejmijes

Letra e Ibën Tejmijes dërguar nënës se vet!

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, i kishte dërguar një letër nënës se vet dhe i kërkonte ndjesë sepse kishte kohë që nuk ishte pranë saj dhe po qëndronte në Egjipt për disa çështje të fesë dhe thirrjes (daves). 

Kur i arriti letra nënës se tij, ajo ia ktheu duke thënë:

“Biri im i dashur lumturues, Ahmed ibën Tejmije, ue alejke selam ue rahmetullahi ue berakatuhu ue magfiretuhu ue riduanuhu! Me të vërtetë, për këtë veçse të kam edukuar! Që të jesh në shërbim të Islamit dhe muslimanëve të kam përgatitur, si dhe për rregullat e fesë të kam mësuar! 

Mos mendo, o biri im, se prania jote afër meje është më e dashur për mua sesa afërsia jote me fenë tënde dhe shërbimin tënd ndaj Islamit dhe muslimanëve në vendet e ndryshme. Përkundrazi, o biri im, kulmi i razisë sime ndaj teje është varësisht prej asaj që ti i dhuron fesë tënde dhe muslimanëve!

O biri im, nuk do të pyes të nesërmen kur të dalim para Allahut se pse ti ishe larg meje, sepse e di ku dhe pse ishe ti, mirëpo o Ahmed, do të pyes ty para Allahut dhe do të kërkoj llogari prej teje, në qoftë se ti ke mangësi në shërbim ndaj fesë se Allahut dhe në shërbim ndaj ndjekësve të saj nga vëllezërit e tu muslimanë!

Allahu qoftë i kënaqur prej teje dhe e ndriçoftë me të mira shtegtimin tënd! Orientimin tënd e bëftë të drejtë! Allahu më bashkoftë mua dhe ty nën hijen e Arshit të Gjithëmëshirshmit, ditën kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes se tij!

Ue selamu alejkum ue rahmetullahu ue berakatuhu!”

| Mexh’mu-ul-Fetawa 28/48 |. 

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button