Këshillë për prindërit që të mos ua lejojnë fëmijëve të tyre të vegjël vozitjen e makinës!

Këshillë për prindërit që të mos ua lejojnë fëmijëve të tyre të vegjël vozitjen e makinës!

Pyetja:

Një çështje e rrezikshme është përhapur sot në mesin e njerëzve: shohim shumë fëmijë të vegjël që u lejohet të ngasin makina, pa pasur asnjë leje drejtimi që t’i kualifikojë për këtë.

A keni ndonjë këshillë për përgjegjësit (autoritetet) dhe ndonjë këshillë për prindërit që janë të pranishëm këtu, në lidhje me rrezikun e kësaj?

Dhe nëse ndodh që ky fëmijë të vdesë për shkak të aksidentit që ka bërë, a bie gjynahu mbi prindin që ia ka mundësuar ngasjen e makinës?

Duke qenë se ai është i papjekur, e Allahu ka ndaluar t’u japim pasuritë tona të papjekurve, si do të jetë gjendja kur bëhet fjalë për diçka që mund të marrë jetë?

A keni ndonjë këshillë dhe udhëzim? Allahu ju dhëntë sukses.

Përgjigjja:

Këshilla ime për prindërit është që të mos ua lejojnë fëmijëve të tyre të vegjël ngasjen e makinës, edhe nëse mendojnë se kanë ndonjë arsye që e shohin si të drejtë.

Disa prej tyre thonë: “Unë ia lejoj të ngasë makinën që të mos më duhet të marr shofer të huaj, për të cilin nuk e dimë besueshmërinë apo ndershmërinë; është djali im dhe më mjafton ai.”

Kjo nuk është arsye e drejtë. Përkundrazi, këta fëmijë të vegjël janë vetë në rrezik dhe shkaktojnë rrezik për të tjerët, dhe prej kësaj ndodhin shumë aksidente.

Unë vetë jam dëshmitar që, para disa kohësh, pashë një djalë që po ngiste një makinë. Kur deshi të kthehej djathtas, nuk arriti ta shihte rrugën në të djathtë, kështu që u ngrit në këmbë për të kthyer makinën! A mund të lejohet një i tillë që të ngasë makinë? Nuk është e lejuar të lejohet kjo.

Dhe siç tha pyetësi, nëse Allahu i Lartësuar na ka ndaluar t’u japim pasuritë tona të papjekurve, si mund t’u japim atyre drejtimin e makinës, ku rreziku është edhe për ta, edhe për të tjerët?!

Prandaj, këshilla ime për prindërit është që të presin. Nëse nuk mund ta ngasin vetë makinën, për shembull për të çuar vajzat në shkollë apo për të kryer punë të tjera, le të zgjedhin një shofer të besueshëm.

Por edhe kur zgjedhin një shofer të besueshëm, nuk është e lejuar që ai të mbetet vetëm me një grua (pa praninë e një mahremi), por duhet të jetë gjithmonë me gra të tjera ose me një të afërm (mahrem) të saj.

Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
| Lika esh-Shehrij 22 |.
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button