Gjykimi për atë që ndien dalje të pikave të urinës pas pastrimit (tahretit)!

Gjykimi për atë që ndien dalje të pikave të urinës pas pastrimit (tahretit)!

Pyetja:

Pyetësi thotë: Kur urinoj, ndalet pak urina, pastaj e laj atë vendin përkatës dhe sapo lëvizi e ndiej sikur del diçka përsëri. Më pas vazhdojnë të dalin disa pika dhe kjo zgjat disa kohë. Çfarë të bëj? A mjafton të marr abdes një herë, ta laj vendin përkatës dhe të vazhdoj, apo të pres derisa të përfundojë plotësisht?

Përgjigjja:

Kjo çështje ndonjëherë ndodh si pasojë e vesveseve dhe hamendjeve, dhe ajo është nga shejtani. E ndonjëherë ndodh realisht tek disa njerëz.

Nëse është e vërtetë, atëherë nuk duhet të ngutesh derisa të ndalet plotësisht urina, pastaj ta lash organin dhe ta përfundosh. Nëse frikësohesh se mund të ndodhë diçka më vonë, atëherë pas abdesit spërkat pak ujë rreth vendit të organit. Më pas, çdo gjë që të duket se ka rrjedhur, konsideroje si ujin që ke spërkatur – sepse për këtë kështu është transmetuar në sunet. Kjo do të ndihmojë për t’i shmangur vesveset.

Nuk i lejohet besimtarit t’i kushtojë vëmendje këtyre vesveseve, sepse ato e trimërojnë shejtanin kundër tij. Shejtani është shumë i zellshëm për ta prishur adhurimin e birit të Ademit, qoftë namazin apo adhurimet e tjera.

Prandaj është detyrë që të ruhet nga kurthet dhe vesveset e shejtanit, të mbështetet te Allahu, dhe çdo gjë që i shfaqet si vesvese ta konsiderojë si nga shejtani, dhe të mos i kushtojë rëndësi. Por, nëse nga ai del diçka me siguri të plotë, pa dyshim, atëherë ai duhet të përsërisë pastrimin dhe abdesin.

Ndërsa, përderisa ekziston vetëm dyshim, sado i vogël qoftë, nuk i kushtohet rëndësi këtij dyshimi – për shkak të vazhdimësisë së gjendjes së pastërtisë dhe për ta luftuar shejtanin.

Për këtë arsye, kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u pyet: “O i Dërguari i Allahut, ç’të bëjë njeriu që i duket sikur ka ndjerë diçka në namaz?” Ai salAllahu alejhi ue selem tha:

“Të mos largohet nga namazi derisa të dëgjojë zë ose të ndiejë erë.”

Pra, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e udhëzoi që të mos e ndërpresë namazin për shkak të një hamendjeje apo përfytyrimi, derisa të jetë i sigurt me ndonjërën nga këto dy gjëra.”

Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
(Mexh’mu-ul-Fetawa 10/122)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button