FORMA E ABDESIT
Pyetje:
Cila është forma legjitime e abdesit?
Përgjigja:
Forma legjitime e abdesit ka dy mënyra:
E para: Mënyra e domosdoshme duke i realizuar disa veprime pa të cilat nuk vlen abdesi veçse duke e realizuar këtë mënyrë. Kjo është e cekur në fjalën e të Lartësuarit:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ
”O ju që besuat, kur të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy nyjë…” Maide 6).
Kjo mënyrë përfshinë pastrimin e fytyrës një herë duke përfshirë të futurit e ujit në gojë dhe hundë, pastrimin e dy duarve nga majat e gishtave deri në bërryla një herë. Ai që merr abdes duhet të ketë kujdes dhe t’i pastroj krahët bashkë me duar deri në bërryla, sepse disa njerëz janë të shkujdesur ndaj kësaj dhe nuk i pastrojnë veçse bërrylat, dhe kjo është gabim. Pastaj e fshin kokën një herë -e pjesë e kokës- janë edhe veshët. Pastaj i pastron këmbët deri në nyjë një herë. Kjo është mënyra e domosdoshme e abdesit.
E dyta: Nga mënyrat e abdesit, kjo është mënyra e pëlqyer (mustehab), të cilën do ta përshkruajmë tani me lejen e Allahut të Lartësuar:
E fillon abdesin me bismilah, i pastron duart tre herë, e shpërlan gojën dhe hundën nga tre herë, pastron fytyrën tre herë, pastron duart deri në bërryla tre herë, njëherë dorën e djathtë e pastaj të majtën, i jep kokës mes’h një herë; i lagë duart dhe pastaj e fshinë kokën nga pjesa e përparme e kokës deri pjesën e pasme në fund, pastaj i kthen duart në fillim të kokës duke e fshi atë. Pastaj i fshinë veshët; gishtat tregues i futë në brendësi të veshëve, kurse me gishtat e mëdhenj e fërkon pjesën e jashtme të tyre. Pastaj i pastron dy këmbët deri në nyje tre herë; njëherë këmbën e djathtë, pastaj të majtën.
Pasi ta përfundojë abdesin, thotë:
Esh’hedu en la ilahe il-lAllah ue esh’hedu en-ne Muhmammeden abduhu ue resuluhu, Allahumme xh’alnii mint-teu-ueebiine ue xh’alnii minel-mutet-tah-hriinë (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë, tjetër përveç Allahut Një, i Vetëm dhe i Pashoq, si dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. O Allahu im, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen).
Sepse, vërtetë, nëse e bën këtë, i hapën tetë dyert e xhenetit dhe hynë prej të cilës do ai vet. Kështu është vërtetuar nga Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, e që e transmeton Umeri radijAllahu anhu.
(Muslimi 234)
(Fetawa erkanul-islam f. 223-224)
Shejh Muhamed ibën Salih, elUthejmin, Allahu e mëshiroftë!
Përktheu: Besim Gjelaj