Besimi në Kada dhe Kader
بِسْمِ اللهِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِيْمِ
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë, thotë:
Kadaja dhe Kaderi janë nga veprat e Allahut të Lartësuar, kurse besimi në to është njëra nga gjashtë shtyllat e Imanit: besimi në Allahun, në melaikët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe përcaktimin e Tij, qoftë mirë apo keq. Pra është shtyllë prej shtyllave të Imanit.
Kështu, ngase Allahu i Lartësuar është i Ditur për atë që ka ndodh dhe që do të ndodh, dhe e ka shkruar këtë në Leuhil-Mah’fudh. Pastaj ka qenë vullneti i Tij dhe dëshira e Tij për të, pastaj e ka krijuar.
Këto janë kategoritë e besimit në Kadanë dhe Kaderin: Besimi në diturinë e Allahut, e cila përfshin çdo gjë; besimi së Allahu i Lartësuar ka shkruar në Leuhil-Mah’fudh përcaktimet e çdo gjëje; besimi së nuk ndodh asgjë në këtë kozmos veçse me vullnetin dhe dëshirën e Allahut; besimi së çdo gjë e ka krijuar Allahu. Pra Allahu është Krijuesi i çdo gjëje:
وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ وَمَا تَعْمَلُونَ
“Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe
gjithçka që bëni”
(EsSaffat 96).
Ky është besimi në Kada dhe Kader, kurse këto dyja e kanë të njëjtin kuptim.
Ajo, çfarë e ka përcaktuar Allahu doemos do të ndodh, siç thotë Allahu i Lartësuar:
مَا أَصَابَ مِنْ مُصِيبَةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي أَنْفُسِكُمْ إِلَّا فِي كِتَابٍ مِنْ قَبْلِ أَنْ نَبْرَأَهَا ۚ إِنَّ ذَٰلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ
“S’ka fatkeqësi që e godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhil-Mah’fudh) para së ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtetë e lehtë!”
(Hadid 22),
si dhe:
مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ ۗ
“Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut…”
(Tegabun 11)
që do të thotë: ndodh me Kadan dhe Kaderin e Tij, çdo gjë që e përcakton Ai doemos duhet të ndodh. Sikur të bënin përpjekje njerëzit që të pengonin atë, nuk do të mundnin. Kështu që është obligim për njeriun që të besoj në ketë.
Çështja, që robi duhet të jetë i kënaqur me atë që ia ka përcaktuar Allahu i Lartësuar ka ketë sqarim:
– nga ajo që ia ka përcaktuar Allahu i Lartësuar, robi duhet të jetë i kënaqur me të, e kjo ka të bëj me përcaktimin që ia ka bërë Allahu i Lartësuar nga veprat e mira dhe gjërat që e afrojnë robin tek Allahu. Në këtë rast, robi e ka për obligim (vaxhib) të jetë i kënaqur, si dhe duhet të jetë i kënaqur me atë që ia ka bërë legjitime Allahu i Lartësuar nga dispozitat dhe çështja e urdhëresave dhe ndalesave.
Gjithashtu, e ka për obligim që ta urrej dhe armiqësoj atë që e ka ndaluar Allahu i Lartësuar.
– nga ajo që ia ka përcaktuar Allahu i Lartësuar, që nuk e ka për obligim të jetë i kënaqur me të, porse është e pëlqyer të jetë i kënaqur, siç janë fatkeqësitë të cilat e godasin njeriun. Durimi në ketë rast është obligim, mirëpo të jetë i kënaqur me të, nuk është obligim, por është e pëlqyer. Ai duhet të bëj durim dhe ta di se kjo është me caktimin e Allahut të Lartësuar.
Ky është sqarimi në lidhje me Kadanë dhe Kaderin e Allahut të Lartësuar. Ndonjëherë është obligim. Ndonjëherë është haram, siç është në rast të mosbesimit (kufrit) dhe gjynaheve. Është haram për njeriun që të jetë i kënaqur me mosbesimin dhe me gjynahet. Ndonjëherë është e pëlqyer, e kjo është të jetë i pajtuar me fatkeqësitë dhe gjërat e urryera që e godasin njeriun. Është obligim të bëj durim dhe ta di se ato janë prej Allahut të Lartësuar. Nuk e ka obligim të jetë i kënaqur me to. Për këtë arsye robi bën përpjekje që t’i evitoj ato. Kërkon ilaç, nxiton që t’i marr shkaqet që e shpëtojnë nga gjërat e urryera dhe që e rëndojnë.
Pra, nuk është obligim që të jetë i kënaqur me çdo përcaktim!
(Sher’h edDurretul-Mudijeh f.124-125)
Përktheu: Hoxhë Besim Gjelaj