Akidja – çështje shpëtimi ose shkatërrimi
Shejh Feuzani, Allahu e ruajttë, thotë:
“Prandaj, e keni obligim t’i këshilloni ata (njerëzit) dhe t’ua sqaroni akiden e Teuhidit. Besimtari e ka obligim të jetë i sinqertë në akiden e tij, në Teuhid dhe në adhurimin vetëm për Allahun e Lartësuar. Gjithashtu, e ka detyrë të shmangë risitë dhe gjërat e shpikura në fe, të mos mbështetet në rrëfimet e njerëzve të thjeshtë e as në fjalët e tyre, të mos marrë shembull nga veprat e njerëzve të rëndomtë dhe të të paditurve, e as nga dijetarët e devijuar. Përkundrazi, ai duhet të mbështetet në atë që është vërtetuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem.
Nëse nuk është në gjendje ta njohë këtë nga Kur’an-i dhe Suneti, atëherë le t’i pyesë dijetarët e mirëfilltë, të palëkundurit në dije dhe këshilltarët e sinqertë të robërve të Allahut, të cilët i përmbahen akides së saktë dhe bëjnë dallimin ndërmjet së vërtetës dhe së kotës, ndërmjet udhëzimit dhe devijimit, në mënyrë që të ketë qartësi për çështjen e tij. E sidomos në çështjen e akides, sepse akidja është garancia e suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër, si dhe shpëtimi nga dënimi i Allahut.
Kush e ka akiden të prishur, ai është i humbur në këtë botë dhe në botën tjetër, e kjo është humbja e qartë. Ndërsa kush e ka akiden të shëndoshë, ai është i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.
Prandaj, kjo nuk është një çështje e lehtë; përkundrazi, është një çështje prej së cilës varet shpëtimi ose shkatërrimi.
Prandaj, muslimani duhet t’i kushtojë kujdes akides së tij, ta ruajë atë dhe të pyesë dijetarët e sinqertë për çdo çështje që i bëhet e paqartë. Ata janë shembulli që duhet ndjekur dhe modeli që duhet pasuar. Allahu i Lartësuar thotë: فَسَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ
“…andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).” (En-Nahl, 43)
Suksesi është prej Allahut.”
(elBida’ ue me Jettesilu bil-’Emuat uel-Kuburi f.22-23)
Përktheu: Besim Gjelaj