A e dini se ku shkon ky diell?
Nga Ebu Dherri, radijAllahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, tha një ditë:
“A e dini se ku shkon ky diell?
Ata thanë:
Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.
Ai, salAllahu alejhi ue selem, tha:
Vërtet, ai lëviz derisa arrin në vendin e caktuar për të, nën Arsh, ku bie në sexhde. Pastaj qëndron në atë gjendje derisa i thuhet:
‘Ngrihu dhe kthehu prej nga erdhe.’ Atëherë kthehet dhe gdhin duke lindur nga lindja e tij. Pastaj vazhdon të lëvizë derisa arrin në vendin e tij të caktuar nën Arsh, ku bie përsëri në sexhde. Pastaj qëndron kështu derisa i thuhet: ‘Ngrihu dhe kthehu prej nga erdhe.’ Atëherë kthehet dhe gdhin duke lindur nga lindja e tij. Pastaj vazhdon të lëvizë dhe njerëzit nuk vërejnë tek ai asgjë të pazakontë, derisa arrin në vendin e tij të caktuar nën Arsh. Atëherë i thuhet: ‘Ngrihu dhe lind nga ana e perëndimit.’ Atëherë ai do të lindë nga perëndimi i tij.
Pastaj i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem tha:
A e dini se kur do të ndodhë kjo? Kjo do të jetë atëherë kur askujt nuk do t’i bëjë dobi besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka fituar ndonjë të mirë me besimin e tij.”
(Muslimi, nr. 159)
Përktheu: Besim Gjelaj