Mashtrimi i shejtanit ndaj atij që kërkon ndihmë nga krijesat
Shejhul-Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Atij që kërkon ndihmë prej krijesave, shejtani mund t’ia përmbushë nevojën, ose një pjesë të saj. Madje, mund t’i shfaqet në formën e atij prej të cilit ka kërkuar ndihmë dhe ai mendon se kjo është një keramet (mrekulli) e atij prej të cilit ka kërkuar ndihmë. Por, në të vërtetë, ai është një shejtan që ka hyrë tek ai dhe e ka mashtruar e devijuar, për shkak të shirkut që i ka bërë Allahut. Kjo është sikurse shejtani që flet përmes idhujve, përmes të goditurit nga xhinët dhe në raste të tjera.
Një gjë e tillë ka ndodhur shumë shpesh në kohën tonë dhe në kohë të tjera. Unë njoh raste të tilla, për të cilat do të zgjatej përshkrimi, ku disa njerëz kanë kërkuar ndihmë prej meje ose prej dikujt tjetër dhe kanë treguar se u është shfaqur një person në pamjen time ose në pamjen e dikujt tjetër dhe ua ka përmbushur nevojat. Ata kanë menduar se kjo ka ndodhur për shkak të bereqetit të kërkimit të ndihmës prej meje ose prej dikujt tjetër. Por, në të vërtetë, ai ishte një shejtan që i kishte devijuar dhe i kishte mashtruar.”
(Mexh’mu-ul-Fetaua, 1/350)
Përktheu: Besim Gjelaj