Arsyeja e ndalimit të kryengritjes kundër udhëheqësve, edhe nëse ata i bëjnë padrejtësi popullit

Shejh AbduRrezak elBeder, Allahu e ruajttë, thotë:

Shkaku pse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ndaloi umetin e tij nga kryengritja kundër prijësve zullumqarë është për shkak të dëmit të madh dhe pasojave të rënda që rrjedhin prej kësaj: derdhja e gjakut, shkatërrimi i pasurive, humbja e fesë, largimi i sigurisë; kështu muslimani nuk ndihet i qetë në adhurimin e tij, nuk është i sigurt për nderin dhe pasurinë e tij, dhe anarkia përhapet në vend.

Sahabët kanë qenë njerëzit më të vendosur në zbatimin e këtij urdhri profetik dhe më të largëtit nga çdo gjë që shkakton këto dëme të mëdha për njerëzit.

Ibën Mesudi, radijAllahu anhu, kur njerëzit iu ankuan për sjelljen e Uelid ibën Ukbes, ka thënë:

“Duroni, sepse padrejtësia e një prijësi për pesëdhjetë vjet është më e mirë sesa trazirat e një muaji.”

Enes ibën Maliku, radijAllahu anhu, kur iu ankua për atë që bënte Haxhaxh eth-Thekafiu, ka thënë:

“Duroni, sepse nuk do t’ju vijë një kohë, vetëm se ajo pas saj do të jetë më e keqe se ajo, derisa ta takoni Zotin tuaj. Këtë e kam dëgjuar nga Pejgamberi juaj salAllahu alejhi ue selem.”

(Ta’likatun ala Sher’his-Sunneh lil-Imam el-Mu’zenijj f.114)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Shikoni gjithashtu
Close
Back to top button