Çështje rreth vizitës së të sëmurit
Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Në vizitën e të sëmurit ka disa çështje:
Çështja e parë: Kur e viziton të sëmurin, a duhet t’i hapësh derën e kësaj bote (për çështjet që ndërlidhen me të), duke i sjellë lule, aroma dhe pamje të bukura, apo t’i hapësh derën e botës tjetër (për çështjet që ndërlidhen me të)?
Përgjigjja: Njerëzit e dunjasë ia hapin derën e dunjasë. Kështu, i sheh evropianët dhe të tjerë që nuk kanë brengë tjetër veç dunjasë, sjellin këto gjëra: lule, piktura e të ngjashme, që zemra e të sëmurit të lidhet me to dhe ta harrojë sëmundjen, kështu pretendojnë ata.
Por e sakta është: t’i sjellësh atij “aromat e ahiretit”; ta kujtosh për pendimin, ta nxitësh për dhikr (përmendjen e Allahut) dhe t’i thuash: “Ti tani je në kohë të lirë, andaj përmende Allahun dhe lexo Kur’an-in”, pa ia bërë të ndiejë afrimin e vdekjes, por duke i dhënë shpresë në jetëgjatësinë e tij. Gjithashtu i thua: “Ti je sprovuar me një sëmundje që mund të të dhembë fizikisht dhe shpirtërisht; ndonjëherë dhimbja shpirtërore është më e madhe se ajo fizike, por duro, sepse besimtari nuk goditet as nga një gjemb, veçse Allahu ia shlyen me të mëkatet dhe e bën të gëzuar.”
Po ashtu, nëse ky person ka marrëdhënie me njerëzit (borxhe, amanete), duhet ta nxitësh t’i regjistrojë ato amanete dhe borxhe, që të mos humbasin të drejtat e njerëzve në qoftë se nuk i shkruan.
Çështja e dytë: A duhet të qëndrojë gjatë njeriu tek i sëmuri apo të largohet shpejt?
E sakta që mund të thuhet: kjo varet nga gjendja. Nëse sheh që i sëmuri gëzohet me praninë tënde dhe ndihet mirë, atëherë është më mirë të qëndrosh, sepse gëzimi i të sëmurit është gjysma e shërimit.
Nëse sheh të kundërtën, që ai bezdiset, dëshiron të rrijë me familjen apo diçka të ngjashme, atëherë largohu dhe mos e zgjat.
Nëse je i pasigurt, atëherë shkurtoje vizitën; pastaj nëse ai të kërkon të rrish, atëherë qëndro. Dhe nëse ai thotë: “Ulu, unë jam i gëzuar dhe dua që të rrish tek unë dhe të ma zgjerosh (qetësosh) gjoksin”, apo diçka të ngjashme, atëherë ulu. Por nëse çështja sillet mes zgjatjes së qëndrimit apo largimit, atëherë largohu, përderisa nuk e di se cila është më përshtatshme.
Çështja e tretë: A vizitohet i sëmuri një herë në javë, çdo ditë apo një ditë po e një jo?
Përgjigjja: Kjo varet nga lidhja që ke me të sëmurin. Nëse është shumë i afërt, mund të vizitohet çdo ditë; nëse është më i largët, atëherë sipas rrethanave.
Çështja e katërt: A vizitohet i sëmuri mëkatar (fasik)?
Përgjigjja: Kjo ka sqarim të hollësishem. Nëse synon t’ia paraqesësh pendimin dhe shpreson që ai ta pranojë, pa dyshim, atëherë vizita tek ai është edhe më e rëndësishme sesa tek dikush që është u udhëzuar, sepse mund të bëhesh shkak për ta shpëtuar.
Por nëse nuk përfiton nga kjo, atëherë mendoj se nuk duhet vizituar, sidomos nëse ai i bën mëkatet haptazi; sepse bojkotimi i tij mund të ndikojë që të tjerët të ndalen nga gjynahet, dhe kjo është përfitim për ta.
(etTalik ala Sahih Muslim 10/297-298)
Përktheu: Besim Gjelaj