Gëzohuni, o ju muslimanë!

Gëzohuni, o ju muslimanë!

Ibën Rexheb el-Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Gëzohuni, o ju muslimanë! Ja, në këtë muaj për ju janë hapur tetë dyert e Xhenetit dhe flladet e tij kanë fryrë mbi zemrat e besimtarëve. Të gjitha dyert e Xhehenemit për ju janë mbyllur, dhe Iblisi me pasardhësit e tij janë lidhur për shkakun tuaj.

Në këtë muaj merret hak ndaj Iblisit dhe mëkatarët çlirohen nga robëria e tij, kështu që atij nuk i mbeten më gjurmë mbi ta. Ata ishin zogjtë e tij, të cilët i kishte ushqyer me epshe në foletë e tij, por sot i kanë braktisur ato fole. Kanë shembur fortesat e tij me kazmat e pendimit dhe istigfarit. Kanë dalë nga burgu i tij në kështjellën e devotshmërisë dhe imanit, dhe janë siguruar nga dënimi i Zjarrit.

Ia kanë thyer shpinën me fjalën e Teuhidit, kështu që ai ankohet nga dhimbja e thyerjes. Në çdo stinë të mirësive ai pikëllohet.

Në këtë muaj ai thërret: “Mjerë unë!”, kur sheh zbritjen e mëshirës dhe faljen e mëkateve. Pala e Gjithëmëshiruesit ka triumfuar mbi palën e shejtanëve, dhe atij nuk i ka mbetur më pushtet, përveçse mbi jobesimtarët.

Sundimi i epshit është rrëzuar dhe pushteti i takon sundimit të devotshmërisë: فَاعْتَبِرُوا يَا أُولِي الْأَبْصَارِ

“Merrni mësim pra, o ju që keni sy e shihni!” (Hashr 2).

(Leta’iful-Me’arif 1/183)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button