Shërimi i plogështisë dhe dobësimit në përkushtimin fetar!

Shërimi i plogështisë dhe dobësimit në përkushtimin fetar!

Pyetja:

Dua të të pyes në lidhje me plogështinë (në besim): cilat janë shkaqet dhe si shërohet ajo? Sepse njeriu ndonjëherë e ndien veten të dobët në fenë e tij.

Përgjigja:

Njeriu nuk mund të jetë gjithmonë në një gjendje të qëndrueshme. Edhe sahabët i thanë:
“O i Dërguar i Allahut! Kur jemi pranë teje, këshillohemi dhe forcojmë besimin tonë, por kur shkojmë te familjet tona — te gratë dhe fëmijët — harrojmë.”
Ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, tha:
“Njëherë ashtu, njëherë kështu.”

Nuk është e mundur që njeriu të qëndrojë gjithmonë në të njëjtën gjendje. Mirëpo, njeriu duhet të kujdeset për zemrën e tij, sepse nëse zemra është e mirë, i gjithë trupi është në rregull.

Duhet të largohet nga gjërat që nuk i takojnë, të largohet nga përçarjet e kota që nuk sjellin dobi, të largohet nga përçarjet (sektarizmi) që e ka përçarë umetin dhe të kthehet me sinqeritet te Allahu i Plotfuqishëm.

Për këtë arsye, shpesh e sheh një njeri nga masa e thjeshtë më të mirë në besimin dhe në sinqeritetin e tij sesa shumë prej nxënësve të dijes, të cilët nuk kanë tjetër hall veçse të kundërshtojnë e t’i hyjnë polemikave, të merren me thashetheme:
“Çfarë thua për filanin? Çfarë thua për këtë libër? Çfarë shkroi filani?”
— Dhe kjo është ajo që e shkatërron njeriun, ia shkëput zemrën nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe preokupimi i tij i vetëm është thashethemet!

Prandaj, këshilla ime për çdo njeri është: të jetë i kthyer kah Allahu i Plotfuqishëm dhe t’i lërë njerëzit dhe mospajtimet e tyre. Ky është veprimi më i mirë.

Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
| Lika’ al-Bab al-Maftuh • nr. 232 |.
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button