Këshillë për atë që ndien përtaci dhe lodhje
Pyetja:
Një njeri në vetën e tij përjeton vështirësi, përtaci dhe lodhje, me çfarë e këshilloni ju, Allahu ju dhëntë sukses?
Përgjigja:
E këshilloj që të veproj me fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “O Allahu im, jepu bereqet umetit tim në hershmërinë e tij”.
Mos flejë pas namazit të sabahut. E nëse është patjetër, atëherë flejë pas lindjes së diellit. Bëj përpjekje në këtë kohë, mes namazit të sabahut dhe lindjes së diellit e që janë gjashtëdhjetë minuta, që mos të flesh. Gjumi në ketë kohë është sëmundje që ta sjell përtacinë, amullimin (ngadalësinë), të humb kjo lutje profetike e bereqetshme:
“O Allahu im, jepu bereqet umetit tim në hershmërinë e tij”.
Kjo është transmetuar nga një numër i madh i sahabëve radijAllahu anhum sa që unë i kam tubuar në një fletore të shënimeve. Kjo të ndihmon për tu rifreskuar dhe për gjallërim. Dhe kjo çdo ditë me lejen e Allahut të ndihmon që të arrish në këtë çast të bereqetshëm rifreskim dhe gjallëri në jetën tënde dhe në ditën tënde. Ose lexon Kur’an, ose bën lutje, ose kërkon falje, ose bën ndonjë nga punët e dynjasë, qoftë duke fshirë apo pastruar ndonjë gjë, apo i largon gjërat nga ky vend për në vendin tjetër, apo gurët, apo guralecët apo dheun.
Me rëndësi në këtë çast mos flejë, e kur të lind dielli, Allahu të shpërbleftë sikur t’i falesh katër rekate namaz, dy nga dy, siç ka thënë Allahu i Plotfuqishëm në një hadith kudsij:
“O biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillim të ditës, të mjaftoj Unë për pjesën tjetër të saj”.
Kjo të ndihmon ty. Ndoshta dikush thotë: Pse nuk e përmendi namazin e sabahut me xhemat? Them: Me fjalën time kam për qëllim se ai me lejen e Allahut është nga namazlitë, se përndryshe namazi i sabahut me xhemat është në fillim të gjithë kësaj. Është në fillim të veprave ditore. Përkundrazi e këshilloj që të zgjohet me ezanin e parë, kjo është më e mirë për të.
Pasha Allahun kjo është më e mirë për ty në dynja dhe ahiret kur ti zgjohesh gjysme ore para ezanit të dytë, merr abdes e fal Vitrin, falesh aq sa ta ka shkruar Allahu, një rekatë apo tre rekate apo pesë rekate apo sa të mundësh, pastaj kërkon falje siç ka thënë Allahu i Plotfuqishëm:
“…dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë”
(Ali Imran 17),
si dhe në ajetin:
“Dhe në syfyr (ka mbarimi i natës) ata kërkojnë falje për mëkate”
(Dharijat 18).
Për shembull kur mbet pak kohë, e shfrytëzon me kërkim falje derisa të thirret ezani i dytë i sabahut, pastaj e bën dhikrin e mëngjesit plotësisht me lejen e Allahut, pastaj e fal synetin e namazit të sabahut, pastaj me lejen e Allahut shkon në xhami në safin e parë dhe falesh me xhemat, pastaj i thua lutjet (dhikrin) pas namazit, pastaj mos flejë derisa t’i falesh dy rekate pas lindjes së diellit.
Gjithashtu, bëj lutje, thuaj:
Allahumme inni eudhu bike minel-axhzi uel-kesel
(O Allahu im, kërkoj ndihmën tënde nga paaftësia dhe përtacia).
Thuaje shpesh këtë lutje:
Allahumme inni eudhu bike minel-axhzi uel-kesel,
Allahumme inni eudhu bike minel-axhzi uel-kesel.
Thuaje shpesh këtë lutje, me lejen e Allahut do ta gjesh përgjigjën e asaj që ke nevojë.
E lus Allahun e Plotfuqishëm që të na jep sukses neve, juve dhe gjithë myslimanët për atë që e do dhe është i kënaqur!
Shejh Muhamed Abdul-Uehab elUesabij, Allahu e mëshiroftë!
(Kaseta: Es’iletul-Beth elMubasher 22 Rexheb 1435h)
Përktheu: Hoxhë Besim Gjelaj