Shejhul-Islam përshkruan saktësisht sëmundjen dhe ilaçin – lexoje me kujdes, sepse është me të vërtetë e rëndësishme!

Shejhul-Islam përshkruan saktësisht sëmundjen dhe ilaçin – lexoje me kujdes, sepse është me të vërtetë e rëndësishme!

U pyet Shejhul-Islam, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e shpërbleftë me Xhenet:

“Cili është ilaçi për atë që sëmundja ka dominuar mbi të (njeriun)?
Çfarë zgjidhjeje ka për atë që e ka kapluar çrregullimi?
Çfarë të veprojë ai që përtacia e ka kapluar?
Cili është rrugëtimi drejt suksesit dhe udhëzimit?
Çfarë të bëjë ai që është pushtuar nga hutimi?”

– Kur synon të drejtohet kah Allahu, epshi e pengon.
– Nëse përpiqet të përkujtojë (Allahun), e mbizotërojnë mendimet (shqetësuese apo të shpërqendruara).
– Kur dëshiron të angazhohet (në vepra), paaftësia e shtyp.
Epshi e ka dominuar, ndaj e sheh në kohët e tij të hutuar – i zgjuar, por duket i dehur.

Nëse përpiqet t’i afrohet të Dashurit (Allahut), pengesat shtohen dhe largësia vazhdon.
Ai i braktisi të afërmit dhe të njohurit me shpresë se do të gjente pasuri dhe do të ndihmohej për ta arritur atë, por nuk bëri tjetër veçse u thellua më shumë në hutim dhe dobësi.

A është vallë kjo mënyra se si trajtohet ai që kërkon strehim (e ndihmë)?

U përgjigj Shejhul-Islam – Allahu e mëshiroftë:

“Ilaçi i tij është të strehohet tek Allahu i Madhëruar, dhe të jetë vazhdimisht në përulje ndaj Tij, të bëjë lutje, t’i mësojë lutjet e transmetuara nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të përzgjedhë kohët e pranimit të lutjes, siç janë:

1. në fund të natës,
2. ndërmjet ezanit dhe ikametit,
3. në sexhde,
4. pas namazeve.

Bashkë me këtë, të bëjë edhe istigfar (kërkim faljeje), se kush i kërkon falje Allahut dhe pastaj pendohet tek Ai, Allahu do ta begatojë me jetë të mirë deri në një afat të caktuar.

Të caktojë për vete një pjesë të përditshme të dhikrit (përmendjes) në mëngjes, në mbrëmje dhe para gjumit.

Të jetë i durueshëm ndaj pengesave dhe shpërqendrimeve që mund t’i dalin përpara, sepse nuk do të vonojë ndihma e Allahut, që do t’i japë atij fuqi nga Vetja e Tij dhe do të shkruajë besimin në zemrën e tij.

Le të ketë kujdes në përmbushjen e namazeve farze me zemër e me trup, sepse ato janë shtylla e fesë.

Le të jetë shprehja e tij e përhershme:

“La haule ue la kuvvete il-la bil-Lahil-Alijjil-Adhim”
(Nuk ka fuqi dhe as mundësi veprimi, përveçse me Allahun – të Lartësuarin, të Madhin.)

Me të cilën njeriut i lehtësohen barrët, përballon vështirësitë dhe arrin gjendje të larta shpirtërore.

Të mos lodhet nga lutja dhe kërkimi, sepse robit i përgjigjet lutja përderisa nuk nxiton duke thënë:

“Bëra lutje, por lutja nuk u pranua.”

Dhe le ta dijë se:
Fitorja është me durim.
Lehtësimi vjen me vështirësinë.
Dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Askush nuk e ka arritur ndonjë të mirë të madhe – qoftë pejgamber apo dikush tjetër – veçse me durim!”

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë!
| Burimi: Mexh’mu’ul-Fetawa • 10/136–137 |.
Përktheu: Besim Gjelaj

Shënim i përkthyesit:
Shejh Abdurr-Rrezzak el-Beder ka porositur që kjo dobi nga Shejhul-Islam të përhapet sa më shumë.

Artikuj të lidhur

Back to top button