Përzierja e grave me burra është burim i çdo fatkeqësie!
Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Nuk ka dyshim se lejimi i grave të përzihen me burrat është burimi i çdo fatkeqësie dhe e keqeje. Ai është ndër shkaqet më të mëdha të zbritjes së dënimeve të përgjithshme, si dhe ndër shkaqet e prishjes së çështjeve publike dhe private. Përzierja e burrave me gratë është shkak për shtimin e veprave të liga dhe imoralitetit (zinasë), dhe është ndër shkaqet e vdekjes së përgjithshme dhe epidemive të vazhdueshme.
Kur gratë imorale u përzien me ushtrinë e Musait ajehis-selam, dhe u përhap imoraliteti mes tyre, Allahu dërgoi mbi ta murtajën, dhe në një ditë vdiqën shtatëdhjetë mijë. Kjo ngjarje është e njohur në librat e tefsirit.
Ndër shkaqet më të mëdha për sjelljen e vdekjes së përgjithshme (dmth.: me shumicë) është shtimi i imoralitetit (zinasë), si pasojë e lejimit të përzierjes së grave me burrat dhe ecjes së tyre mes burrave të zbukuruara dhe të stolisura.
Sikur përgjegjësit e tyre ta dinin se çfarë prishjeje ka kjo në dynja dhe te njerëzit, para se në fe, do të ishin më të rreptët në ndalimin e saj.
AbdUllah ibën Mes’udi, radijAllahu anhu, ka thënë:
“Kur të shfaqet imoraliteti (zinaja) dhe kamata në një vendbanim, Allahu jep leje për shkatërrimin e tyre.”
Dhe ka transmetuar Ibën Ebi Dunja: Na ka treguar Ibrahim ibnul-‘Eshath, na ka treguar AbduRrahman ibën Jezid elAmmijj, e ky nga babai i tij, e ky nga Seid ibën Xhubejr, e ky nga Ibën Abbasi se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Sa herë që një popull mashtron në matje dhe në peshë, Allahu i Plotfuqishëm ua ndalon shiun. Sa herë që në një popull shfaqet imoraliteti (zinaja), shfaqet tek ta vdekja. Sa herë që në një popull shfaqet vepra e popullit të Lutit, shfaqet tek ta fundosja në brendësi të tokës. Dhe sa herë që një popull e lë urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, nuk u ngritën veprat e tyre dhe nuk u dëgjohet lutja”
(Et-Turuk el-Hukmijje, f. 239)
Përktheu: Besim Gjelaj