Një tregim i rrallë rreth së drejtës së bashkëshortes

Një tregim i rrallë rreth së drejtës së bashkëshortes

Është transmetuar se Shurejhi, gjykatësi, e takoi një ditë Esh-Sha‘biun, i cili e pyeti për gjendjen e tij në familje. Shurejhi i tha:

“Prej njëzet vitesh nuk kam parë prej familjes sime asgjë që të më zemërojë.”

Ai e pyeti: “Si ka mundësi?”

Shurejhi tha:

“Në natën e parë kur hyra te bashkëshortja ime, pashë tek ajo një bukuri magjepsëse dhe një hijeshi të rrallë.

Thashë me vete: Do të marr abdes dhe do t’i fal dy rekate namaz në shenjë falënderimi ndaj Allahut.

Kur dhashë selam, pashë se edhe ajo ishte falur bashk me mua dhe kishte dhënë selam bashkë me mua.

Kur shtëpia u zbraz nga shokët dhe miqtë, iu afrova asaj dhe zgjata dorën drejt saj. Ajo më tha:

‘Ngadalë, o Ebu Umejje, rri ashtu siç je.’

Pastaj tha:

‘Falënderimi i takon Allahut; Atë e lavdëroj, prej Tij kërkoj ndihmë dhe salavatet qofshin mbi Muhamedin dhe familjen e tij. E më pas:

Unë jam një grua e huaj për ty dhe nuk i njoh moralet e tua; prandaj më trego çfarë pëlqen që ta bëj dhe çfarë nuk pëlqen që ta lë. Në fisin tënd kishte gra nga të cilat mund të martoheshe, dhe në fisin tim kishte burra që ishin të denjë për mua; por kur Allahu vendos diçka, ajo patjetër realizohet. Tani ti ke autoritet mbi mua, prandaj vepro sipas asaj që të ka urdhëruar Allahu: ose të më mbash me mirësi, ose të më ndash me mirësi. E them këtë dhe kërkoj falje prej Allahut për vete dhe për ty.’”

Shurejhi tha:

“Për Allahun, o Sha‘bij, më detyroi të mbaj edhe unë një fjalim në atë vend. Thashë:

‘Falënderimi i takon Allahut; Atë e lavdëroj, prej Tij kërkoj ndihmë dhe salavatet qofshin mbi Muhamedin dhe familjen e tij. E më pas:

Ti the fjalë që, nëse i qëndron besnike, do të jenë fat për ty; e nëse vetëm i pretendon, do të jenë argument kundër teje. Unë pëlqej këtë dhe këtë, dhe nuk pëlqej këtë dhe këtë. Çdo të mirë që sheh prej meje, shpërndaje; çdo të keqe që sheh, mbuloje.’”

Ajo tha:

“Sa e pëlqen ti vizitën e familjes sime?”

I thashë: “Nuk dua t’u bëhem barrë familjarëve të bashkëshortes sime.”

Ajo tha: “Cilët nga fqinjët e tu dëshiron të hyjnë në shtëpinë tënde që t’i lejoj, dhe cilët nuk i dëshiron që t’i ndaloj?”

I thashë: “Familja e filanit janë njerëz të mirë, ndërsa familja e filanit janë njerëz të këqij.”

Shurejhi tha:

“Atë natë e kalova me të në mënyrën më të mirë, dhe jetova me të një vit të tërë duke parë vetëm atë që më pëlqente. Kur kaloi një vit, u ktheva nga gjykata dhe pashë një grua në shtëpi. Pyeta: ‘Kush është kjo?’

Më thanë: ‘Krushka jote’ (d.m.th. nëna e gruas se tij).

Ajo u kthye nga unë dhe më pyeti: ‘Si e ke parë bashkëshorten tënde?’

I thashë: ‘Si bashkëshortëja më e mirë që mund të jetë.’

Ajo tha: ‘O Ebu Umeje, gruaja është në gjendjen më të keqe në dy raste: kur lind një djalë, ose kur zë vend të veçantë në zemrën e burrit të saj. Për Allahun, burrat nuk kanë futur në shtëpitë e tyre asgjë më të dëmshme sesa gruan e përkëdhelur pa masë. Prandaj, eduko sa të duash dhe rregullo sa të duash.’”

Shurejhi tha:

“Ajo qëndroi me mua njëzet vjet dhe nuk e qortova për asgjë, përveç një herë të vetme, dhe atëherë unë isha ai që i bëra padrejtësi.”

(Ah’kamun-Nisa, Ibnul-Xheuzi, f. 134)
(Ah’kamul-Kur’an, Ibnul-Arabi, 1/407)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button