Një lloj i ndaluar i shitjes me këste

Një lloj i ndaluar i shitjes me këste

Pyetja:

Shitja me këste e veturave: Një veturë vjen te pronari i sallonit të makinave, pastaj pronari i ekspozitës e shet atë te një person tjetër, dhe ai person e shet me këste te një i tretë. Personi që e ka blerë veturën e shet atë përsëri, dhe ndodh që vetura të kthehet te pronari i ekspozitës edhe një herë, madje ndoshta edhe dy herë. Çfarë mendoni për këtë çështje?

Përgjigja:

Mendoj, së pari, se kjo lloj marrëveshjeje nuk lejohet. Dhe kjo ndodh kështu: vjen një person te tregtari dhe i thotë: “Dua një veturë me pagesë me këste.” Pastaj tregtari i thotë: “Shko në sallonin e makinave dhe zgjidh veturën që të pëlqen.” Pasi personi zgjedh një veturë, i kthehet tregtarit dhe i thotë: “Zgjodha këtë veturë.” Tregtari e blen atë veturë nga salloni dhe më pas ia shet këtij personi që ka nevojë.

Kjo është e ndaluar dhe nuk ka dyshim se është një mashtrim. Sepse tregtari, në vend që t’i japë këtij njeriu shumën e veturës në dorë dhe t’i thotë: “Ke për detyrë ta kthesh këtë shumë me vonesë dhe me një shtesë, duke të pritur deri në një vit”, po përdor një mënyrë tjetër për të arritur të njëjtin qëllim. Nuk ka ndonjë dallim midis kësaj forme dhe asaj kur i thotë: “Shko bli veturën për mua, pastaj unë do ta shes ty.”

Dije se marrëveshjet që bëhen me hile (mashtrim) janë më të ndaluara se ato që janë të qarta. Sepse ai që mashtron në ndalesat e Allahut, jo vetëm që bie në ndalesë, por gjithashtu mashtron fenë islame dhe ngjan me hebrenjtë, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

“Mos bëni siç bënë hebrenjtë, të cilët e shkelën të ndaluarën e Allahut qoftë edhe duke bërë hilen më të thjeshtë.”

Shembulli është i qartë: një njeri ka nevojë për një veturë që kushton 50,000 rijalë. Ai shkon te tregtari dhe i thotë: “Kam nevojë për një veturë me këtë çmim, më jep një hua dhe unë do të të kthej 2,000 çdo muaj.” E blen njeriu makinën dhe shkon.

Kjo, pa asnjë dyshim, është e ndaluar, sepse është shkëmbim parash me para, me shtesë dhe me vonesë në pagesë.

Çfarë dallimi ka mes kësaj forme dhe asaj kur tregtari thotë: “Unë e blej makinën për ty me 50 mijë para në dorë, ia dorëzoj sallonit dhe pastaj ta shes ty për 70 mijë me këste për tre vjet”? Çfarë ndryshimi ka në pamje?

Në realitet nuk ka aspak dallim.

Mos e mashtroni veten duke menduar se mund të bëni lojëra me Allahun e Plotfuqishëm. Nuk ka asnjë dallim. Madje kjo formë është më e keqe, sepse është hile për të marrë para me kamatë, pra është kamatë e qartë.

Ai që e bën kamatën hapur, të paktën e ndien se po bën mëkat, turpërohet prej Allahut të Plotfuqishëm dhe përpiqet të pendohet. Por ai që bën hile me Allahun në çfarëdo formë, nuk ndien ndonjë keqardhje, nuk turpërohet prej Allahut të Plotfuqishëm, dhe vazhdon në mëkat, ndonëse të dyja nuk kanë dallim (janë haram).

Mos u mashtroni nga fakti që shumë njerëz e praktikojnë këtë. Shumica nuk është argument.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَيَوْمَ يُنَادِيهِمْ فَيَقُولُ مَاذَا أَجَبْتُمْ الْمُرْسَلِينَ

“Dhe (kujto) Ditën (kur Allahu) do t’u thërrasë atyre e t’u thotë: “Çfarë përgjigje u dhatë ju të Dërguarve?”

| Kasas 65 |

وَلَنْ يَنفَعَكُمْ الْيَوْمَ إِذْ ظَلَمْتُمْ أَنَّكُمْ فِي الْعَذَابِ مُشْتَرِكُونَ

“Nuk do t’ju sjellë aspak dobi juve këtë ditë, pasi ju u gabuat dhe humbët nga e vërteta, dhe ju do të jeni bashkëpjesëmarrës në ndëshkim.”

| Zuhruf 39 |.

Çështja është e qartë që është e ndaluar, edhe nëse dikush tjetër ka dhënë fetva që lejohet, atëherë ai ka gabuar.

Dhe mendoni mirë: Cila është më e rëndë – kjo hile që po bën ky njeri për të marrë para me shtesë, apo hileja e hebrenjve, të cilëve u ishte ndaluar dhjami, e ata e shkrinë dhe ia shitën dikujt tjetër për të përfituar nga çmimi i tij?

Hileja që përmendëm është më e rëndë – sepse hebrenjtë nuk e hëngrën dhjamin, madje as nuk e shitën si të tillë, por e shkrinë, pastaj e shitën dhe hëngrën çmimin e tij.

Prandaj, shitja në këtë mënyrë është haram (e ndaluar) dhe nuk lejohet. Edhe nëse dikush ha lëkurën e deveve për shkak të varfërisë, nuk duhet të hyjë në këtë lloj marrëveshjeje.

Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
| Lika el-Babil-Meftuh, 205 |
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button