Nga sunetet e Bajramit:

Së pari: Zbukurimi në ditën e Bajramit

Nga Ibën Abbas radijAllah anhuma, transmetohet se ka thënë:

“Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem vishte në ditën e Bajramit një rrobë të kuqe (të bukur).” (Es-Silsile es-Sahiha)

Së dyti: Larja (gusli) në ditën e Bajramit para daljes nga shtëpia

Nga Nafi‘ transmetohet: “AbdUllah ibën Umer radijAllahu anhuma lahej në ditën e Fitër Bajramit para se të shkonte në vendfalje.”

Së treti: Ngrënia e hurmave tek (numër tek) para namazit të Bajramit

Nga Enes ibën Malik radijAllahu anhu, i cili ka thënë:

“I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem nuk dilte në ditën e Fitër Bajramit derisa të hante disa hurma, dhe i hante ato në numër tek.” (Buhari)

Së katërti: Shkuarja në vendfalje në këmbë

Nga AbdUllah ibën Umer radijAllahu anhuma, transmetohet:

“I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dilte për në Bajram në këmbë dhe kthehej në këmbë.” (E ka konsideruar hasen (të mirë) shejh Albani).

Së pesti: Ndryshimi i rrugës në shkuarje dhe kthim

Nga Xhabir ibën Abdil-Lah radijAllahu anhu, transmetohet:

“Kur ishte dita e Bajramit, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ndryshonte rrugën (shkonte nga njëra dhe kthehej nga tjetra).” (Buhari 986)

Së gjashti: Tekbiri i Bajramit që nga dalja nga shtëpia deri në namaz

Nga Zuhriu transmetohet:

“I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dilte në ditën e Fitër Bajramit duke bërë tekbir derisa arrinte në vendfalje dhe derisa e kryente namazin; e kur e përfundonte namazin, e ndërpriste tekbirin.” (Silsile es-Sahiha nr. 171)

🔹 Tekbiri bëhet individualisht, jo në formë kolektive; forma kolektive është bidat, siç thonë dijetarët.

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button