Nga shkaqet e mungesës së bereqetit në rizk (furnizim)!
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Është vërtet për të ardhur keq që sheh shumë muslimanë sot, sidomos ata që janë ndikuar nga zakonet perëndimore dhe traditat evropiane, se si shejtani ka arritur t’u marrë një pjesë të pasurisë së tyre; jo me dhunë, por me vetë zgjedhjen e tyre.
Dhe kjo ndodh vetëm për shkak të paditurisë së tyre ndaj sunetit, ose nga neglizhenca ndaj tij.
A nuk i sheh se si ata ndahen gjatë ushqimit në tryezat e tyre, ku secili ha më vete – pa ndonjë nevojë – në një pjatë të veçantë, pa e ndarë atë së paku me atë që ka pranë?
Po ashtu, nëse një kafshatë bie nga njëri prej tyre, ai ngurron ta marrë, ta pastrojë dhe ta hajë. Madje ka prej tyre të ashtuquajtur “të ditur” apo “filozofë”, që nuk e lejojnë këtë me arsyetimin se është ndotur me mikrobe dhe baktere – duke kundërshtuar kështu hadithin ku i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Le ta largojë atë që e shqetëson prej saj dhe ta hajë, dhe të mos ia lërë shejtanit.”
Pastaj ata nuk i lëpijnë gishtat e tyre; madje shumë prej tyre e konsiderojnë këtë si mungesë etike dhe shkelje të sjelljes në tryezë. Për këtë arsye, ata përdorin në tryezat e tyre peceta letre thithëse të njohura (si ‘Kliinex’), kështu që sapo ndonjëri ndien pak yndyrë në gishtat apo buzët e tij, menjëherë e fshin me pecetë – në kundërshtim me tekstin e hadithit.
Sa i përket lëpirjes së pjatës, domethënë marrja e mbetjeve të ushqimit me gishta, ata e shohin këtë si diçka shumë të shëmtuar dhe e konsiderojnë atë që e bën si koprrac ose lakmitar në ushqim. Dhe nuk është çudi kjo nga ata që nuk e kanë dëgjuar këtë hadith dhe janë të paditur për të; por çudia është tek ata që i ndjekin dhe i mbështesin, ndërkohë që e dinë këtë.
Pastaj i sheh të gjithë ata të ankohen për mungesën e bereqetit në pagat dhe furnizimin e tyre, sado që u është zgjeruar ai.
Dhe nuk e dinë se shkaku i kësaj është largimi i tyre nga ndjekja e Sunetit të Pejgamberit të tyre, dhe imitimi i armiqve të fesë së tyre në mënyrën e jetesës dhe të përditshmërisë.
Pra, kapuni fort pas Sunetit, o muslimanë!
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱسۡتَجِيبُواْ لِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمۡ لِمَا يُحۡيِيكُمۡۖ وَٱعۡلَمُوٓاْ أَنَّ ٱللَّهَ يَحُولُ بَيۡنَ ٱلۡمَرۡءِ وَقَلۡبِهِۦ وَأَنَّهُۥٓ إِلَيۡهِ تُحۡشَرُونَ
“O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!” (En’fal 24).”
(Es-Silsile es-Sahiha 3/395).
Përktheu: Besim Gjelaj