Nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmetohet

Nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmetohet se ai hyri në një shtëpi në Medinë dhe pa në pjesën e sipërme të saj dikë që po bënte figura. Atëherë tha:

Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem duke thënë se Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Kush është më i padrejtë se ai që përpiqet të krijojë si krijimi Im?! Le të krijojnë pra një kokërr, ose le të krijojnë një grimcë.”

(Buhariu 5609; Muslimi 2111)

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Sa i përket fjalës së tij: “Le të krijojnë një grimcë, ose një kokërr, ose një kokërr elbi”, fjala dherrë (ذرة), me zanorën “e” dhe me dyfishimin (teshdidin) e shkronjës “ra”, do të thotë:

Le të krijojnë një grimcë që ka shpirt dhe që vepron vetë, ashtu si kjo grimcë që është krijim i Allahut të Lartësuar.

Po ashtu, le të krijojnë një kokërr gruri apo elbi, domethënë: le të krijojnë një kokërr që ka shije, që hahet, mbillet dhe mbin, dhe në të cilën gjendet gjithçka që gjendet në kokrrën e grurit, elbit dhe farave të ngjashme, të cilat i krijon vetëm Allahu i Lartësuar.

Ky është një urdhër sfidues dhe pamundësues, siç u përmend edhe më herët.

(Sher’h Sahihul-Muslim 14/90)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button