Gjykimi i përdorimit të ilaçeve që përmbajnë yndyrë derri



Pyetja❓:

Në fillim të këtij takimi, i shprehim mirëseardhje shejkhut të nderuar, Muhamed ibën Salih elUthejmin, ashtu siç ju shprehim mirëseardhje edhe juve vëllezër!

Kjo vajza thotë: Vajza e pikëlluar nga Rruvejsi (vend në arabi) – në fakt, kjo ka një problem të gjatë, porse ne do ta cekim shkurtimisht – pohon së nëna e saj i ka përdorur disa ilaçe dhe barna në kokën e saj (vajzës), gjë që ka ndikuar në rënien e shumicës së flokëve (të saj).

Dhe thotë: ndjehem e turpëruar apo diçka kështu kur qëndroj me gra të tjera.

Dhe thotë: një njeriu i ka ndodhur siç i ka ndodh kësaj – i kanë rënë shumica e flokëve. Dhe ai ka përdorur një ilaç, i është shëruar koka dhe i kanë dalë flokë të shpeshta. Pastaj kjo ka shprehur dëshirën që ta marrë ilaçin prej tij. Mirëpo pasi që ai është shëruar, dikush që e kuptonte gjuhën angleze, i ka treguar se ilaçi përmban yndyrë derri dhe një sasi të gjakut të tij.

Ajo dëshiron të dijë, a i lejohet të kurohet me ketë (ilaç)?

Gjithashtu, ajo ndjehet keq nga përdorimi i parukes, sepse ajo e ka bindjen së parukja është haram për femrën muslimane, shpresojmë të përfitojmë nga shkëlqesia juaj!

Përgjigja❗:

Lavdia i takon Allahut! Kjo pyetje, në fakt përfshin dy çështje:

E para: përdorimi i parukes, siç është ky rasti që e ka përshkruar, që i kanë rënë flokët deri në atë masë saqë nuk shpresohet që do t’i dalin prapë.

Sa i përket kësaj çështje, themi: Parukja në rast të tillë nuk ka të keqe sepse kjo nuk llogaritet zbukurim, por është për të evituar një të metë. Bazuar në ketë, nuk konsiderohet ngjitje e flokëve, të cilin e ka mallkuar Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem -, duke thënë: “Qoftë e mallkuar ajo që ngjit flokë (mbi flokët e tjera) dhe asaj që i ngjiten”.

“elUsiletu” është ajo që ngjit flokë mbi flokët e tjerë. Mirëpo, kjo grua në realitet nuk i përngjan kësaj, sepse kjo nuk dëshiron t’i ngjisë flokët për zbukurim apo nuk i shton mbi flokët të cilat ia ka krijuar Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar, porse dëshiron të evitojë një të metë që i ka ndodhur. Kjo nuk ka të keqe, sepse është nga lloji i evitimit të një të metë dhe nuk është për qëllim zbukurimi; dhe mes këtyre dy çështjeve ka dallim.

E dyta: sa i përket përdorimit të këtij ilaçi që përmban yndyrë derri, në qoftë se vërtetohet se përmban yndyrë derri, nuk ka të keqe (që ta përdorë) kur ka nevojë, sepse ajo që ndalohet prej derrit është ngrënia e mishit të tij:

﴿إِنَّمَا حَرَّمَ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةَ وَالدَّمَ وَلَحْمَ الخنزير” “(“

Allahu ua ndaloi juve vetëm të ngordhurën, gjakun, mishin e derrit…” (Bekare 173).

Dhe ka thënë Allahu i Lartësuar duke e urdhëruar të Dërguarin e Vet – salAllahu alejhi ue selem -:

﴿قُلْ لا أَجِدُ فِي مَا أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّماً عَلَى طَاعِمٍ يَطْعَمُهُ إِلَّا أَنْ يَكُونَ مَيْتَةً أَوْ دَماً مَسْفُوحاً أَوْ لَحْمَ خِنْزِيرٍ﴾ “

Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kur’an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë së ai (ushqim) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri…” (En’am 145).

Është vërtetuar nga Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem – të ketë thënë: “Nga cofëtina është e ndaluar ngrënia e saj”, Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem – e ka lejuar të përfitohet nga lëkura e saj pasi të regjet.

Gjithashtu, është vërtetuar nga Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem – të ketë thënë: “Vërtet, Allahu ma ka ndaluar alkoolin, cofëtinën, derrin dhe idhujt.” Dikush i kishte thënë: Çfarë thua për yndyrën e cofëtinës, ngase me të lyhen anijet dhe lëkurat, si dhe me të njerëzit ndriçohen (bëjnë dritë)? Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem – tha: “Jo, janë haram.” që d.m.th janë të ndaluara në shitblerje, sepse tematika e hadithit ka të bëjë për shitblerjen.

Sahabët – radijAllahu anhum – nuk pyetën për të ditur dispozitat e këtyre gjërave, mirëpo pyetën me qëllim që të justifikohet shitblerja, pra kanë thënë: “Këto dobi që i përfitojnë njerëzit nga yndyra e cofëtinës, a nuk e justifikojnë shitblerjen?”

E Pejgamberi – salAllahu alejhi ue selem – iu tha: “Jo, janë haram”.

Pra, bazuar në ketë, në qoftë së e përdorë, atëherë e pastronë kur dëshiron të falet – d.m.th e pastron yndyrën e derrit – e bën këtë nëse vërtetohet se është papastërti.

Lexuesi i pyetjes: Mirë! Atëherë, ne i themi kësaj vajze që e ka potencuar veten si vajzë e pikëlluar, – nëse do Allahu i Lartësuar – ti je vajza e lumtur nga Rruvejsi. Sepse ajo do të jetë e lumtur – nëse do Allahu – me tolerancën e Islamit dhe lehtësimin e tij. Ajo gjithashtu ka të drejtë ta përdorë paruken sepse ky veprim nuk llogaritet se ajo dëshiron ngjitjen e flokëve, si dhe (lejohet) ta përdorë yndyrën e derrit për kurim, porse duhet ta pastrojë kur dëshiron të falet.

🖋 Shejkh Muhamed ibën Salih elUthejmin, Allahu e mëshiroftë!

➡️Burimi: http://binothaimeen.net/content/6646

✍Përktheu: Besim Gjelaj

Back to top button