Debati i el-Abbas ibën Musa el-Hemedanit në praninë e el-Uathikut
Debati i el-Abbas ibën Musa el-Hemedanit në praninë e el-Uathikut
Për këtë debat, Imam Ahmedi ka thënë:
“Duhet ta shkruajmë këtë në dyert e xhamive tona dhe t’ua mësojmë familjeve dhe fëmijëve tanë.”
Ky debat përmbledh akiden (besimin) e Ehli Sunetit dhe Xhematit dhe është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e besimit.
Ebu Abdullah Ubejdullah ibën Muhammed ibën Batta el-Ukberi el-Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Na ka treguar Selame ibën Xha’fer err-Rremli, i cili ka thënë:
Na ka treguar el-Abbas ibën Musa el-Hemedani:
Më futën te halifja, i cili njihej me pseudonimin “el-Uathik”, unë dhe një grup dijetarësh. Ai mu drejtua me pyetje posaçërisht mua, nga të gjithë ata që ishim aty.
I thashë:
— O Emir i besimtarëve! Jam njeri i frikësuar dhe nuk më ka ndodhur të flas me asnjë halife para teje.
Tha:
— Mos u frikëso, nuk ka gjë. Çfarë thua për Kur’anin?
I thashë:
— Ai është fjala e Allahut, nuk është i krijuar.
Tha:
— Po të betohem, ose do të thuash se është i krijuar, ose do të të pres kokën.
I thashë:
— Nëse ti e pret kokën time, ti je në pozitën ta bësh këtë, nëse kështu është caktuar nga Allahu. Por, të lutem, o Emiri i besimtarëve, më jep kohë: ose unë jam i ditur dhe argumenti im del në shesh, ose jam i paditur dhe atëherë ti je i detyruar të më mësosh, sepse ti je Emiri i besimtarëve, halifja i Allahut në tokë dhe kushëriri i Pejgamberit të Tij.
Tha:
— A nuk e lexon: إِنَّا كُلَّ شَيْءٍ خَلَقْنَاهُ بِقَدَرٍ
“Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me Kader (Paracaktim Hyjnor)” | Kamer 49 |.
Dhe وَخَلَقَ كُلَّ شَيْءٍ فَقَدَّرَهُ تَقْدِيرًا
“Ai krijoi çdo gjë dhe e caktoi me masë” | Furkan 2 |?
I thashë:
— O Emiri i besimtarëve, fjala “çdo gjë” në Librin e Allahut është gjithmonë e përgjithshme apo ndonjëherë e veçantë?
Tha:
— Është e përgjithshme.
I thashë:
— Jo, por është e veçantë. Allahu i Madhëruar ka thënë: وَأُوتِيَتْ مِنْ كُلِّ شَيْءٍ
”…dhe asaj (Mbretëreshës së Sebesë) i janë dhënë të gjitha gjërat” | Neml 23 |.
Por a iu dha asaj pushteti i Sulejmanit alejhis-selam?
Ai u zemërua, mori një shkop që kishte para vetes dhe më goditi me të, pastaj tha:
— Nxirreni jashtë dhe priteni kokën.
Më nxorën në një tendë aty afër dhe më lidhën duart pas shpinës.
Thirra:
— O Emiri i besimtarëve, ti po e pret kokën time, por unë do të jem para teje (në Ditën e Gjykimit), prandaj përgatite përgjigjen për këtë veprim.
Tha:
— Nxirreni këtë zindik (heretik) dhe vendoseni në burgun më të ngushtë.
Pas disa ditësh më kujtoi, më nxori nga burgu dhe më solli përsëri para tij.
Tha:
— A je ende në atë fjalë që dëgjova prej teje?
I thashë:
— Pasha Allahun, o Emiri i besimtarëve, unë e lus Zotin tim të Madhërishëm dhe të Lartësuar ditë e natë të mos më japë vdekje veçse mbi atë që ti dëgjove prej meje.
Tha:
— Po të shoh që je i palëkundur.
I thashë:
— Nuk është diçka që e kam thënë nga vetja, por diçka që e kam gjetur te dijetarët e Mekës, Medinës, Kufes, Basrës, Sham-it dhe në skaje të shtetit, dhe i pashë ata në akiden e Sunetit dhe Xhematit.
Më tha:
— Çfarë është Suneti dhe Xhemati?
I thashë:
— E kam pyetur për të dijetarët dhe secili ka thënë:
Shenja e besimtarit nga Ehli Suneti dhe Xhemati është:
1. Të thotë me sinqeritet: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahu, i Cili është i vetëm pa shok, dhe Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij”, dhe të pranojë atë me të cilën kanë ardhur profetët dhe të dërguarit.
2. Të dëshmojë me gjuhë dhe ta besojë me zemër.
3. Të besojë në kaderin e Allahut, të mirën dhe të keqen e tij.
4. Të dijë se ajo që e goditi nuk do të mund t’i shmangej dhe ajo që iu shmang nuk do të mund ta godiste.
5. Besimi është fjalë dhe vepër, rritet me bindje dhe pakësohet me mëkat.
6. Allahu i Plotfuqishëm ka ditur që nga krijimi i njerëzve çfarë do të bëjnë dhe ku do të përfundojnë: një grup në Xhenet dhe një grup në zjarr.
7. Të falet xhumaja dhe bajrami pas çdo imami, qoftë i mirë apo i keq.
8. Namazi farz të falet në kohën e vet, pa e paraprirë apo vonuar.
9. Të dëshmohet për dhjetë sahabët nga fisi Kurejsh, të cilëve Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u dha dëshmi për Xhenet.
10. Dashuria dhe urrejtja të jenë për Allahun dhe për hir të Tij.
11. Shkurorëzimi të llogaritet kur ndodh, qoftë edhe me një fjalë.
12. Lejohet fshirja mbi mestet për udhëtarin tri ditë, e për vendasin një ditë e një natë.
13. Shkurtimi i namazit në udhëtim kur udhëtohet 16 ferseh sipas llogaritjes hashimije (48 milje).
14. Të përshpejtohet iftari shpejt, ndërsa të vonohet syfyri.
15. Të vendoset dora e djathtë mbi të majtën në namaz.
16. Të thuhet “Amin” me zë dhe “Bismil-Lahi Rrahmani Rrahim” të thuhet në heshtje.
17. Të thuash me gjuhë dhe ta kesh të sigurt në zemër se më i miri i këtij umeti pas Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu (radijAllahu anhum).
18. Të përmbahemi nga polemikat mbi çështjet që ndodhën mes sahabëve.
19. Të besohet ringjallja, dalja nga varret, dënimi i varrit, pyetja e Munkerit dhe Nekirit, ura e Siratit dhe peshoja (Mizani).
20. Allahu i Plotfuqishëm do të nxjerrë nga zjarri ata njerëz që kanë bërë mëkate të mëdha dhe që janë nga ky Umet; askush nuk do të qëndrojë përjetë në zjarr veçse idhujtarët.
21. Banorët e Xhenetit do ta shohin Allahun me sytë e tyre.
22. Kurani është Fjala e Allahut, jo i krijuar.
23. Toka e tëra është në grushtin e Tij Ditën e Kiametit dhe qiejt të palosur në të djathtën e Tij. I Lartësuar është Ai nga çdo gjë që ia atribuojnë.
Tha:
Kur e dëgjoi këtë nga unë, urdhëroi dhe më nxorën katër dhëmbë, pastaj tha: “Nxirreni nga unë, se mos më prish atë në të cilën jam.” Dhe më nxorën.
Më pas takova Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbelin dhe ai më pyeti se çfarë kishte ndodhur mes meje dhe halifes, kështu që i tregova.
Ai tha:
“Allahu mos ta humbtë këtë qëndrim, kur të qëndrosh para Tij (në Ditën e Gjykimit)!”
Pastaj tha:
“Duhet ta shkruajmë këtë në dyert e xhamive tona dhe t’ua mësojmë familjeve dhe fëmijëve tanë.”
Më pas iu drejtua djalit të tij, Salihut, dhe i tha:
“Shkruaje këtë hadith në një pergamenë të bardhë, ruaje dhe dije se është nga hadithet më të mira që ke shkruar, sepse kur ta takosh Allahun në Ditën e Kiametit, do ta takosh duke qenë në rrugën e Sunetit dhe Xhematit”
| el-Ibanetu el-Kubra 6/284-288 |.
Përktheu: Besim Gjelaj