E fillon agjërimin në një vend dhe e përfundon në një vend tjetër
E fillon agjërimin në një vend dhe e përfundon në një vend tjetër
1-Pyetja:
Unë jam nga Azia Lindore. Tek ne muaji hënor vonohet një ditë në krahasim me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Do të udhëtoj për në vendin tim gjatë Ramazanit, ndërsa agjërimin e kam filluar në Arabinë Saudite. Në fund të muajit do të ndodhë që ne të kemi agjëruar tridhjetë e një ditë. Cili është gjykimi për agjërimin tonë? Sa ditë duhet të agjërojmë?
Përgjigjja:
Nëse keni agjëruar në Arabinë Saudite ose diku tjetër, pastaj e vazhdoni pjesën e mbetur të muajit në vendin tuaj, atëherë bëni iftar me ta (kur ata e përfundojnë agjërimin), edhe nëse kjo e kalon tridhjetë ditë. Kjo për shkak të fjalës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem:
“Agjërimi është ditën kur agjëroni ju, dhe përfundimi është ditën kur e përfundoni ju.”
Por nëse nuk e plotësoni muajin me njëzet e nëntë ditë, atëherë duhet ta plotësoni, sepse muaji nuk mund të jetë më pak se 29 ditë.”
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
(Mexh’mu‘ Fetawa 15/155)
2-Pyetja:
Cili është gjykimi për atë që agjëron në një vend mysliman, pastaj shkon në një vend tjetër ku njerëzit janë një ditë prapa vendit të parë, dhe si rrjedhojë duke i ndjekur ata agjëron më shumë se 30 ditë, apo e kundërta?
Përgjigjja:
Nëse një person kalon nga një vend islam në një vend tjetër islam dhe vendi i dytë e vonon përfundimin e agjërimit, atëherë ai qëndron me ta derisa ata ta përfundojnë atë.
Sepse: Agjërimi është ditën kur agjërojnë njerëzit, iftari është ditën kur bëjnë iftar njerëzit, dhe Kurban Bajrami është ditën kur njerëzit therin kurban.
Edhe nëse kjo i shton një ditë ose më shumë, kjo është sikur ai të udhëtojë në një vend ku perëndimi i diellit vonohet; ai vazhdon agjërimin derisa të perëndojë dielli, edhe nëse kjo zgjat dy, tre ose më shumë orë më tepër.
Gjithashtu, sepse në vendin e dytë hëna nuk është parë, ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Agjëroni kur ta shihni atë (hënën) dhe përfundojeni agjërimin kur ta shihni atë (hënën e re të muajit Sheval).”
Rasti i kundërt:
Nëse dikush kalon nga një vend ku muaji ka filluar më vonë, në një vend ku ka filluar më herët, atëherë ai bën iftar me ta dhe kompenson (pas Ramazanit) ditët që i kanë mbetur nga Ramazani.
Nëse i mungon një ditë, e kompenson një ditë.
Nëse i mungojnë dy ditë, i kompenson dy ditë.
Nëse ka agjëruar vetëm 28 ditë, kompenson: dy ditë nëse muaji ka qenë i plotë (30 ditë), një ditë nëse muaji ka qenë 29 ditë në njërin ose të dy vendet.
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Mexh’mu‘ Fetawa 19, pyetja nr. 24)
Përktheu: Besim Gjelaj