Njohja e vlerës së Ehli Bejtit dhe kujdesi për të drejtat e tyre!
Shejhu i nderuar, AbduRrezzak el-Bedër, Allahu e ruajttë, thotë:
“Gjithashtu, prej çështjeve të rëndësishme në këtë kapitull është që fëmijët të rriten që nga vegjëlia me dashurinë për Ehli Bejtin, me dashurinë për sahabët dhe me njohjen e pozitës, vlerës dhe vendit të tyre.
Dhe po them – duke e përmendur si mirësi të Allahut të Lartësuar dhe të Madhërishëm mbi mua – se Allahu i Plotfuqishëm na nderoi me edukim nga babai ynë, dijetari i nderuar Shejh AbdulMuhsin el-Abbad, Allahu e ruajttë, që nga fëmijëria mbi dashurinë për familjen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe dashurinë për sahabët e tij të nderuar.
Prej kujdesit të madh të tij – Allahu e ruajttë dhe e begatoftë në jetën dhe dijen e tij – për këtë çështje, është se ai ua vuri disa prej vëllezërve dhe motrave të mia emrat e familjes së Pejgamberit, emrat e bashkëshorteve të tij dhe emrat e sahabëve të tij të nderuar.
Ai i quajti (fëmijët e vet): Hasan, Husejn, Ali dhe Fatime; po ashtu i quajti: Aishe dhe Zejneb; dhe i vuri emra edhe sipas bashkëshorteve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Madje, secilin prej tyre e thërriste me nofkën e atij sipas të cilit e kishte emërtuar.
Kështu ne i njohëm ata, i njohëm nofkat e tyre dhe i njohëm nofkat e tyre që nga vogëlia. Ky është emërtuar sipas filanit, ky prej lajmeve të tij ka këtë, ky prej çështjeve të tij ka atë.
Ai ka shkruar edhe një broshurë për pozitën e familjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, për vlerën e tyre dhe vendin e tyre te Ehli Suneti, dhe ajo është e botuar dhe e përhapur.
Po ashtu ka shkruar edhe një broshurë për pozitën e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Edhe në broshurën e tij për pozitën e familjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ai përmendi disa çështje të bukura rreth përpjekjeve të dijetarëve në lavdërimin e Ehli Bejtit dhe sqarimin e pozitës së tyre. Dhe e përmbylli atë pjesë me një mbyllje të këndshme.
E përmbylli duke përmendur përpjekjet e imamit të davetit, Shejhul-Islam Muhamed ibën AbdulUehhabit – Allahu e mëshiroftë – në sqarimin e të drejtave të Ehli Bejtit dhe kujdesin e tij për të drejtat e tyre, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Kjo është në kundërshtim me atë që pretendojnë kundërshtarët e këtij imami, Allahu e mëshiroftë, se qëndrimi i tij ndaj Ehli Bejtit kinse ka qenë armiqësi!
Madje kemi dëgjuar disa njerëz që e thonë haptazi këtë, dhe pretendojnë me shpifje e gënjeshtër se Shejh Muhamed ibën AbdulUehhabi ishte armik i Ehli Bejtit, se e nënçmonte Ehli Bejtin dhe se nuk i donte ata – e të tjera fjalë të kota e të pavlera që s’kanë asnjë bazë të vërtetë.
Ndërkohë që librat dhe shkrimet e tij janë të mbushura me citime. Libri i tij ‘et-Teuhid’ në më shumë se një vend është i mbushur me citime, si edhe librat e tjerë që tregojnë për kujdesin dhe përkushtimin e tij ndaj të drejtave të Ehli Bejtit.
Prej kësaj është edhe se ai – dua të them Shejhul-Islam Muhamed ibën AbdulUehhabi – u furnizua nga Allahu me gjashtë djem dhe një vajzë. Si i quajti ata?
Djemtë: Ali, Hasan, Husejn, AbdUllah dhe Ibrahim – të gjithë këta janë prej Ehli Bejtit.
Ibrahimi është djali i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
AbdUllahu është djali i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
Hasani dhe Husejni janë djemtë e Aliut.
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, është djali i axhës se Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
Të gjithë këta janë prej Ehli Bejtit.
Ndërsa vajzën e quajti Fatime.
Njërin prej djemve të tij e quajti AbdulAziz.
Këta emra: Ali, Hasan dhe Husejn, vazhdojnë deri në ditët tona dhe ende gjenden në pasardhësit e Shejhul-Islam Muhamed ibën AbdulUehhabit, Allahu e mëshiroftë.
Ndërsa kundërshtarët e davetit pretendojnë me gënjeshtër e shpifje se ky imam e nënçmon Ehli Bejtin, i shan ata; por takimi është Ditën e Kiametit. Te Allahu i Lartësuar, Ditën e Kiametit, kundërshtarët do të mblidhen, të vërtetat do të dalin në shesh dhe do të dallohet i drejti nga i pavërteti.”
Ligjëratë me titull: Vaxhibuna Nahve Ehli Bejtin-Nebijji salAllahu alejhi ue selem!
Përktheu: Besim Gjelaj