“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, me përjashtim agjërimit, ai me takon Mua”
Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, me përjashtim agjërimit, ai me takon Mua”
(Buhariu dhe Muslimi)
Me të vërtetë Allahu i Lartësuar agjërimin e ka veçuar për Vete, kurse veprat tjera –çdo gjë tjetër pos agjërimit- i ka veçuar për birin e Ademit, për këtë Allahu i Lartësuar thotë:
“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, me përjashtim agjërimit, ai me takon Mua”
Që do të thotë: Allahu i Lartësuar e ka veçuar agjërimin në mesin e gjitha veprave tjera, sepse ai –agjërimi- është adhurimi më i madh në përgjithësi, është sekreti mes njeriut dhe Zotit të tij, ngase njeriu nuk e di që ai (agjëruesi) është duke agjëruar apo jo. Ai qëndron me njerëz, shkon, vjen, hyn dhe del e askush nuk e di që ai është duke agjëruar. Nijeti i tij është i fshehtë, bëhet me sinqeritetin me të madh, andaj Allahu e ka veçuar në mesin e gjitha punëve.
Disa dijetarë kanë thënë: Ditën e Kiametit kur të dalim para Allahut të Lartësuar dhe njeriu iu ka bërë padrejtësi të tjerëve, atij i merren të mirat me përjashtim agjërimit, nga agjërimi nuk merret asgjë, ngase agjërimi i takon Allahut dhe nuk i përket njeriut. Ky është një interpretim i mirë. Agjërimi është shkak që t’i shtohet dhe deponohet shpërblimi agjëruesit dhe nuk merret prej tij asgjë për shkak të padrejtësive që ua ka bërë krijesave.
Gjithashtu, vepra e birit të Ademit shumëfishohet (në shpërblim) nga një e mirë deri në dhjetë fish, më përjashtim agjërimit, atij i takon shpërblimi pa përkufizim, që do të thotë i shumëfishohet shumë e më shumë. Dijetarët kanë thënë: Për shkak së agjërimi përfshin tri llojet e durimit, durimi në përulje ndaj Allahut, durimi në largim nga mëkatet ndaj Allahut dhe durimi ndaj caktimit (kaderit) të Allahut.
Durimi në përulje ndaj Allahut, sepse njeriu e inkurajon vetën për të agjëruar edhe pse nganjëherë nuk e pëlqen, nuk e pëlqen për shkak të vështirësive, jo pse Allahu e ka bërë obligim, sepse sikur ta urrente njeriu agjërimin veç pse Allahu e ka bërë obligim, atëherë do t’i shkatërroheshin veprat e tij. Mirëpo, nuk e pëlqen për shkak të vështirësive që ka agjërimi për të, megjithatë e inkurajon vetën për të agjëruar, pastaj bën durim ndaj ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime për hir të Allahut të Plotfuqishëm. Për këtë Allahu i Lartësuar ka thënë në një hadith kudsij:
“E le ushqimin, pijen dhe kënaqësinë e tij për shkak Timin”.
Durimi në largim nga mëkatet ndaj Allahut, dhe kjo i ndodh agjëruesit, ngase ai bën durim për të mos e kundërshtuar Allahun e Plotfuqishëm, largohet nga fjalët e këqija, nga sharjet, nga gënjeshtra, si dhe nga shumë gjëra të tjera të ndaluar nga Allahu.
Durimi ndaj caktimit të Allahut, kjo për shkak së agjëruesin e kaplon ndonjë sprove gjatë ditëve të agjërimit –posaçërisht në ditët e verës të nxehta dhe të gjata- siç është përtacia, monotonia dhe etja gjë që ndikon tek ai, përjeton dhimbje dhe lëndohet, mirëpo ai bën durim sepse kjo e bën të kënaqur Allahun.
Meqenëse agjërimi përfshin tri llojet e durimit, ai e meriton shpërblimin pa përkufizim, Allahu i Lartësuar thotë:
“…Ndërsa atyre që bëjnë durim u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”
(Zumer 10).
Shejh Muhamed ibën Salih, elUthejmin, Allahu e mëshiroftë!
(Sher’h RijadusSalihinë 3/319-320)
Përktheu: Hoxhë Besim Gjelaj