Ambicia e selefit në kërkimin e hadithit!

SubhanAllah, sa e madhe ka qenë ambicia e selefit në kërkimin e hadithit!

Shembull konkret imam Bekijj ibën Mah’led, Allahu e mëshiroftë!

Ai përshkoi një distancë prej më shumë se 5000 km, duke ecur në këmbë, vetëm që të mësonte disa hadithe.

Imami Bekijj ibën Mahledi, Allahu e mëshiroftë, udhëtoi në këmbë nga Andaluzia deri në Bagdad dhe përshkoi më shumë se 5000 km, me qëllim që të takonte imamin Ahmed ibën Hanbel, Allahu e mëshiroftë, dhe të merrte dije prej tij.

Bekijj, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Kur iu afrova Bagdadit, më arriti lajmi për sprovën e imamit Ahmed dhe mësova se atij i ishte ndaluar të takohej me njerëzit dhe t’i mësonte ata. U dëshpërova shumë për këtë!

Kur mbërrita në Bagdad, i vendosa gjërat e mia në një dhomë, pastaj dola të kërkoja shtëpinë e Ahmed ibën Hanbelit. Më treguan vendndodhjen e saj. Trokitja në derë dhe ma hapi vetë imami Ahmed. I thashë:

‘O Ebu Abdil-Lah, jam një njeri i huaj, kërkues i hadithit dhe i lidhur pas Sunetit; dhe udhëtimi im nuk ka qenë veçse për tek ti.

Ai më tha:

‘Hyr brenda, por të mos të shohë askush’

Pastaj më pyeti dhe më tha:

‘Unë jam i sprovuar dhe më është ndaluar mësimdhënia dhe ligjërimi’

I thashë:

‘Unë jam një i huaj; nëse më lejon, do të vij tek ti çdo ditë i veshur si të varfërit dhe lypsarët, do të qëndroj te dera jote dhe do të kërkoj lëmoshë; e ti do të dalësh tek unë dhe do të më tregosh hadith, qoftë edhe vetëm një hadith.’

Bekijj thotë:

‘Kështu, çdo ditë vija, qëndroja te dera dhe thosha: “Më jepni shpërblimin, Allahu ju mëshiroftë.” Atëherë Ahmed dilte tek unë, më fuste në korridor dhe më tregonte dy, tre hadithe ose edhe më shumë, derisa u mblodhën për mua afërsisht treqind hadithe.’

Pastaj Allahu ia largoi sproven imamit Ahmed dhe fama e tij u përhap. Kur shkoja më pas tek imami Ahmed, ndërkohë që ai ishte në rrethin e tij të madh dhe përreth tij kishte nxënës të dijes, ai më bëri vend dhe më afroj pranë vetes dhe u thoshte nxënësve të hadithit:

‘Ky është ai që vërtet e meriton emrin kërkues i dijes!’”

Imami Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë!
(Sijer A‘lam en-Nubela 13/292)
Përktheu: Besim Gjelaj

Sqarim:

Musnedi i tij ka qenë ndër musnedet më të mëdha në Andaluzí. Madje, Shejh Salih Alu Shejh ka thënë se ka qenë musnedi më i madh; mirëpo, fatkeqësisht, ka humbur dhe nuk ekziston më.

Artikuj të lidhur

Back to top button