A lejohet të përfshihen gjashtë ditët e Shevalit bashkë me ditët e kazas (që nuk i ka agjëruar për ndonjë arsye) së Ramazanit?
Pyetësi: Sa i përket, o vëlla i dashur, agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit: ndoshta kam lënë pa agjëruar një ditë nga Ramazani para Shevalit dhe dua t’i agjëroj gjashtë ditët e Shevalit. A lejohet që ta bëj nijetin njëherësh si kaza dhe si një ditë prej këtyre gjashtë ditëve?
Shejhu: Nëse po pyet për lejueshmërinë, atëherë përgjigjja është: po, lejohet. Tani po të përmend këtu tri shkallë, e muslimani zgjedh prej tyre atë që i pëlqen më shumë.
Shkalla e parë, madje dhe kjo është më e larta:
Ta agjërojë kazan veçmas dhe Shevalin veçmas.
Pse?
Sepse ne e dimë se një e mirë shpërblehet dhjetëfish.
Nëse agjëron një ditë nga Ramazani, ai ka së paku dhjetë të mira; dhe nëse agjëron një ditë nga Shevali për Shevalin, ka dhjetë të mira.
Bëhen njëzet.
Kjo është gjendja më e mirë dhe më e lartë.
Shkalla e dytë:
Nuk ka mundësi, nuk ka kohë, nuk ka fuqi, për një arsye apo një tjetër. Ai dëshiron të agjërojë, p.sh., një ditë nga ato që i ka borxh nga Ramazani, ose gjashtë ditë nga ato që i ka borxh nga Ramazani, dhe dëshiron që me to të përfshijë edhe gjashtë ditët e Shevalit.
Kjo është shkalla e dytë.
Themi: të bëjë nijetin për kazan e asaj që i ka mbetur nga Ramazani, duke ia bashkangjitur këtij nijeti edhe nijetin e gjashtë ditëve të Shevalit.
Por atij nuk do t’i shkruhen dhjetë plus dhjetë (shpërblime); atij do t’i shkruhen dhjetë plus një.
Ky njëshi është për nijetin e mirë, bazuar në fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në hadithin kudsij që Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Nëse robi Im synon të bëjë një të mirë dhe nuk e bën, shkruajani atij një të mirë. Nëse e bën, shkruajani dhjetë të mira deri në njëqind, deri në shtatëqind, deri në shumëfishime të shumta. Dhe Allahu ia shumëfishon kujt të dojë.”
Kjo është shkalla e dytë: atij i shkruhen së paku njëmbëdhjetë të mira.
Shkalla e tretë dhe e fundit:
Ta agjërojë vetëm atë që i ka mbetur borxh, pa e menduar fare gjashtëditëshin e Shevalit; ose ndoshta as nuk e di që është në muajin Sheval, siç ndodh me shumë arabë të ndikuar nga zakonet e të huajve. A është e qartë?
Pyetësi: E qartë. Allahu të shpërbleftë me të mira.
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë!
(Huda uen-Nur, Kaseta 327; nga minuta 00:33:17)
Përktheu: Besim Gjelaj
