Arshi i Allahut Fuqiplotë!
Pyetja: Çfarë nënkuptohet me fjalën “Arshi i të Gjithmëshirshmit”?
Përgjigja: Fjala “Arsh” tek dijetarët dhe në gjuhën arabe do të thotë: Froni i madh, froni i mbretit. Kurse me fjalën “Arshi i të Gjithmëshirshmit” nënkuptohet Froni madhështor, i cili është krijesa më e madhe. Ai ka shtylla dhe bartës, e bartësit e tij janë engjëjt.
Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm është mbi Arsh, ashtu siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:
اﻟﺮﺣﻤﻦ ﻋﻠﻰ اﻟﻌﺮﺵ اﺳﺘﻮﻯ
“Ai është Mëshiruesi, i Cili u ngrit dhe u lartësua mbi Arsh (Fronin e Tij), ashtu siç i takon Lartmadhërisë së Tij”. Ta Ha 5
Dhe thotë i Lartësuari:
ﺇﻥ ﺭﺑﻜﻢ اﻟﻠﻪ اﻟﺬﻱ ﺧﻠﻖ اﻟﺴﻤﺎﻭاﺕ ﻭاﻷﺭﺽ ﻓﻲ ﺳﺘﺔ ﺃﻳﺎﻡ ﺛﻢ اﺳﺘﻮﻯ ﻋﻠﻰ اﻟﻌﺮﺵ
“Zoti juaj, o ju njerëz, është vetëm Allahu, Ai i Cili krijoi qiejt dhe tokën pa shembull të mëparshëm, brenda gjashtë ditësh. Pastaj Ai u ngrit mbi Fronin e Vet ashtu siç i shkon Qenies së Tij Supreme”. | A’raf 54 |.
Arshi është një fron madhështor, krijesë e madhe, dhe askush nuk e di saktë madhësinë e tij e as gjerësinë e tij, përveç Krijuesit të tij të Lartësuar dhe të Madhërishëm. Në raport me botën, është si një kupolë mbi të. Ai është tavani i gjithë botës dhe gjithashtu tavani i Xhenetit. Mbi të nuk ka asgjë përveç Allahut të Lartësuar dhe të Madhërishëm.
Ky është Arshi, froni madhështor, që kështu e njohin arabët. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar në tregimin e Belkises:
ﻭﻟﻬﺎ ﻋﺮﺵ ﻋﻈﻴﻢ
”…Ajo kishte një fron mbretëror madhështor”. | Neml 23 |.
Karrigeve të mbretërve u thuhet frone, por Fronit të Allahut të Lartësuar nuk i përngjan asgjë nga fronet e krijesave. Megjithatë, gjuhësisht kështu njihet. Ai është një fron madhështor, krijesë e madhe, dhe askush nuk e di gjerësinë, madhështinë, esencën dhe materien e tij, përveç Atij që e ka krijuar, i Lartësuar dhe i Madhërishëm.
Nëse diçka në lidhje me esencën e tij është vërtetuar nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, atëherë ajo është e saktë dhe e vërtetë, sepse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk flet me hamendje. Unë nuk di ndonjë gjë të saktë që mund të bazohem e që tregon materien e Arshit, mirëpo ai është një fron madhështor, krijesë e madhe, dhe ka bartës nga engjëjt, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
ﻭﻳﺤﻤﻞ ﻋﺮﺵ ﺭﺑﻚ ﻓﻮﻗﻬﻢ ﻳﻮﻣﺌﺬ ﺛﻤﺎﻧﻴﺔ
”…Atë ditë Arshin (Fronin) e Zotit tënd, kanë për ta mbajtur vetëm tetë engjëj”. | Hakah 17 |,
në Ditën e Kiametit. Është e njohur se në këtë botë Arshin e bartin katër engjëj, siç ka thënë Umejeh ibën Ebis-Salti në poezinë e tij të njohur në praninë e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kishte miratuar:
Njeriu dhe kau e bartin në të djathtën e tij… shqiponja në anën tjetër dhe luani i fuqishëm!
Kjo nënkupton se katër engjëj e bartin në këtë botë, duke qenë në pamjet e cekura më sipër:
- Njëri në pamjen e njeriut,
- I dyti në pamjen e kaut,
- I treti në pamjen e shqiponjës,
- I katërti në pamjen e luanit.
Këto janë engjëj që Allahu i ka krijuar për të bartur Arshin.
Po ashtu, në një hadith të Abbas ibën Abdul-Mutalibit thuhet se Ditën e Kiametit Arshin do ta bartin tetë krijesa në pamjen e cjepëve, pra tetë engjëj madhështorë. Megjithatë, në zinxhirin e këtij transmetimi ka disa kritika.
Ajo që është e vërtetuar nga Kur’ani është se Ditën e Kiametit Arshin do ta bartin tetë engjëj, siç thotë Allahu i Lartësuar:
ﻭﻳﺤﻤﻞ ﻋﺮﺵ ﺭﺑﻚ ﻓﻮﻗﻬﻢ ﻳﻮﻣﺌﺬ ﺛﻤﺎﻧﻴﺔ
”…Atë ditë Arshin (Fronin) e Zotit tënd, kanë për ta mbajtur vetëm tetë engjëj”. | Hakah 17 |.
Kjo aludon që në këtë botë Arshin e bartin katër engjëj, ndërsa Ditën e Kiametit do ta bartin tetë. Allahut i kërkojmë ndihmë dhe më të vërtetë Ai është i Lartësuar dhe më i Dituri!
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
| Fetawa Nurun ala Dërb 1/133 |
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.